A do të shuhen partitë e vjetra?!
Nga Bedri Islami
Sido që të jetë, deri më tani, por si duket edhe në një periudhë tjetër, të pacaktuar kohërisht, Shqipërinë e kanë qeverisur dy partitë e mëdha, njëra si përfaqësuese e së majtës dhe tjetra e së djathtës. Mes tyre kanë qenë parti të tjera, që kohët e fundit u bënë të domosdoshme, për vetë peshën e tyre vendosëse në peshoren e kësaj politike që bëri gjithçka që mundi që t’i nxirrte jashtë loje.
Kufiri mes së majtës dhe së djathtës në Shqipëri nuk ekziston më. Që nga përcaktimi i Nanos se, zemra ime rreh majtas, por shikimi im është djathtas, pikëpamjet politike e ekonomike u bënë të njëjta, megjithëse asnjëra prej tyre, askurrë, nuk ka pasur një përcaktim të qartë social e politik, veç asaj që jashtë vendit janë bërë pjesë e strukturave të mëdha politike evropiane, secila në një kah, por, edhe ashtu, asgjë nuk ka ndryshuar në sjelljet, përcaktimet dhe në filozofinë e tyre politike, kur kanë patur të tillë.
E majta në pushtet, në katër vitet e fundit, më shumë rëndoi atë shtresë që duhet të mbronte dhe më shumë përkëdheli atë pakicë që duhej ta kishte pasur dyanshëm, edhe aleat, edhe kundërshtar. Ndërsa u rrit përqendrimi tek hallexhinjtë që nuk paguanin dot as dritat, shikimi përkëdhelës shkoi tek oligarkia financiare, që, aq sa kishte qenë “e djethatë”, por aq shpejt dhe po aq befasishëm, u bë e “djathtë”.
E djathta, në opozitë, më tepër se të jetë zë i klasës së lartë financiare, si një parti e re marksiste thërret në ndihmë togfjalëshin, “verdikti i popullit”, a thua se kur ishte në pushtet i bëhej vonë për këtë verdikt. Lideri i saj juridik shkon edhe më tej kur deklaron haptas se, kur të vijë në pushtet, do ua marrë pasurinë të pasurve dhe do u ndajë të varfërve, duke rikthyer edhe një herë kohën e pas vitit 1945, kur përmes ligjeve për fitimet e jashtëzakonshme të kohës së luftës, bëhej sekuestrimi i pasurisë.
Në këtë ngatërresë, jo të rastësishme dhe jo të ndershme, kur filozofitë politike asgjësohen dhe mendjet ndrydhen, kur rikrijohet një elitë politike parlamentare nën nivelin e përgjithshëm intelektual, kur mendjet e njohura të kombit nuk qasen as si dëgjues dhe rruga kërkon të zëvendësojë mendjen, rutina dhe tradita, më shumë se sa mendimi, edhe një herë do të mund të vendosin që Shqipëria të qeveriset nga një dyshe politike, e thyer në përbërjen e saj me parti të tretë, edhe një herë të domosdoshme.
Në 27 vite bëhet kjo rokadë. Tetë vite njëra, tetë vite tjetra. Në mes një tjetër, që, aq sa i lejon të kenë hapësirat e tyre, po aq kërkon edhe hapësirën e saj.
A do të ketë një ditë asfiksim dhe humbje të kësaj ngarkese politike dhe ridalje në skenë të partive të reja politike, që mund të kenë frymëzim të ri, ose edhe ripërtëritje të vetvetes.
Në vendet evropiane po ndodh kjo. Disa nga partitë tradicionale sa vijnë e rrudhen, të tjera po i qëndrojnë kohës, nga jashtë tyre futen në lojën e madhe të politikës parti të reja, disa herë me qëndrime ekstreme, të së majtës apo të së djathtës, joshëse, sidomos në një moment krize, angazhuese, sepse mbledhin rreth vetes figura karizmatike, gjejnë lideri të drejtpërdrejtë, që, ndërsa nuk kanë se çfarë humbasin, mund të fitojnë gjithçka; që nuk kanë qenë deri tani pjesë e humbjeve, zhgënjimeve dhe rënies, por që premtojnë një ringritje. Shembujt janë të shumtë, që nga shteti grek e deri në Francë, ku një figurë e panjohur politike, i brishtë në pamjen e parë, tani është presidenti i saj, megjithëse ende nuk ka asnjë deputet në parlamentin francez.
Në Shqipëri, ndoshta nga intuita e tij politike ose nga ideja e rimishërimit të vetvetes, Edi Rama, duam apo nuk duam e ka filluar këtë eksperiment, duke bërë shndërrimin gradual të socialistëve në një Rilindje, e cila, nga e shkuara ka disa norma, parime, qëndrueshmëri dhe anëtarësinë e saj, por që nga filozofia politike, lirshmëria dhe roli i liderit është ndryshe nga sa më parë. Hapja e mendimit politik për të pranuar, jo si faj, por si domosdoshmëri, përkrahjen e ish-të përndjekurve politikë, të cilët ishin “mish i huaj” në PS-në tradicionale; qëndrimi ndaj pronës – qoftë edhe përmes një regjistrimi të paparë të pronave dhe pasurive të paluajtshme, si risi progresive, ka pasur edhe tendencën ndaj angazhimit të një përfaqësi politike nga bota e financës, që kanë bërë jo pak herë shumicën parlamentare, si dukuri negative. Koha e militantëve entuziastë, të papaguar, që kishin vizion dhe ide për të bërë një Shqipëri ndryshe, edhe përmes një force politike fillimisht të anatemuar, si duket po shkon dhe në të majtën kryesore po vjen bota e financës.
Basha, ndoshta edhe përmes një mendimi jashtë Shqipërisë, po e kthen gradualisht PD-në tradicionale, nga një forcë politike e së djathtës, në një mish-mash politik, ku vendin e grupit parlamentar e zë çadra politike, ku ngujimi paraqitet si vlerë dhe çjerrjet si forcë, në të cilën strukturat janë formë e zbutur e heshtjes dhe heshtja ndaj liderit paraqitet si besnikëri; ajo po shket gradualisht por pashmangshëm drejt kthimit në regres të politikës, megjithëse kthesa e saj ka nisur që në krye të herës. Toni ushtarak në politikë, qoftë i Berishës, si ujku i vjetër i politikës pëdëiste, qoftë i Bashës, si vazhdues i tij, nuk lë më asnjë shenjë në mendimin progresiv që mund të jetë brenda saj, por në të njëjtën kohë edhe për të djathtën tradicionale të saj; ish-të përndjekurit politikë apo shtresat e dikurshme të përmbysura. Basha po e kthen PD-në në një turmë politike dhe gradualisht të militarizuar, ku mendja është larguar prej kohësh dhe në të cilën, vendin e shumë figurave të njohura intelektuale e ka zënë vetëm emri i një akademiku.
Në Shqipëri janë krijuar kohët e fundit parti të reja, mes të cilave LIBRA e Blushit dhe SFIDA e Bojaxhiut. Në fakt janë parti të reja ndërtuar përmes figurave të vjetra, të cilët, përmes posteve ose funksioneve që kanë pasur në partitë nga kanë ardhur, njëri në PS dhe tjetri në PD, nuk të ngjallin besimin për ndryshim dhe se janë pikërisht ajo që i duhet ndryshimit. Të dy sëbashku dhe veç e veç, në rastin më të mirë, janë të vonuar në rebelimin e tyre.
Në të vërtetë koha e ndryshimit ka ardhur dhe sa vjen e po largohet. Përmes ndryshimit është e dobishme nëse bëhet edhe shuarja e një mendimi politik tejet konfliktual dhe i dëmshëm, pasi, vazhdimi i kësaj ndezje politike, më shumë se sa tek liderët, që paradite zihen e pasdite puthen, ndikon tek një rrjedhë tjetër njerëzore, të cilët ende duan të besojnë se ata e kanë seriozisht kur flasin në emrin e tyre.
Edi Rama, megjithëse me sakrilegje dhe me një rrugëtim herë-herë të pa marrë vesh, jo rrallë i vetmuar dhe i anatemuar, ka nisur atë që mund të quhet një frymë e re tek socialistët. Mund të jetë rruga e duhur për sa kohë ajo është rruga e pushtetit, por mund të jetë edhe e disfatës kur nuk je më në pushtet.
Gabimi i tij i deritashëm është në mendimin se gjithçka fillon tek ai. Nëse reformimi përkon me kohën e tij, trashëgimia është përtej kësaj kohe.
Basha është njeriu që ende nuk e di se çfarë i kanë besuar, dhe, duke mos e ditur, po luan lojën më të rrezikshme për forcën e tij politike, por më dobiprurëse për jetën e kombit. Ai, pa dashur e pa ditur, po dërgon drejt asfiksisë një force regresive dhe, nëse e bën këtë si duhet, do të bëjë ndoshta të vetmen të mirë që kur e futën në politikë dhe deri sa do e nxjerrin prej saj.
Të tjerët janë ende në lojën pa top. Përjashtim bën vetëm njëri që, edhe pasi pranoi të ishte presidenti i këtij vendi, mbetet njeriu që ngriti një forcë politike nga hiçi, nga zemërimi apo vizioni – këtë nuk e di askush, por që në fakt, edhe pse kundër dy forcave që donin ta hanin, ia arriti që ata, të fortët, të hanin atë çfarë ai u shtroi përpara. Njërit i vuri përpara kurbanin e bashkisë dhe tjetrit ngjalën e qeverisë. Ty dy e hëngrën… ai vetë nuk agjëroi.