Studentët e Vlorës në grevë urie, i refuzon universiteti
VLORث - Studentët e degës së Juridikut të universitetit 'Ismail Qemali' Vlorë do të futen në grevë urie, nëse ende nuk do të marrin një përgjigje nga ana e rektoratit të Vlorës për diplomimin e tyre. Shqetësimi nëse do të kenë apo jo një diplomë të denjë për të përfaqësuar shkollimin e tyre universitar, ka detyruar studentët e Juridikut të enden prej disa javësh dyerve të rektoratit në Universitetin 'Ismail Qemali' të Vlorës.
Studentët thanë se janë të vendosur për të marrë atë çka u takon, ndërsa ende presin një përgjigje përfundimtare në favor të tyre, përndryshe do të futen në grevë urie. Studentët kanë protestuar disa herë, madje edhe para Ministrisë së Arsimit, duke u shprehur të indinjuar ndaj indiferencës me të cilën po përballen. Me studentët e Juridikut sot janë bashkuar edhe kandidatët për studentë që ende nuk po regjistrohen dot për të vijuar studimet, për shkak të mesatares. Edhe pse morën një përgjigje pozitive nga ana e Ministrisë së Arsimit, studentët nuk janë pranuar nga sekretaritë. Reagimit të tyre, u janë bashkuar edhe prindër, të cilët e kanë cilësuar absurd kriterin e mesatares që ka vendosur rektorati i universitetit.
Urdhri i parë që ka firmosur dje ministri i ri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka qenë ai për pranimin në universitete të të gjithë studentëve që kanë dalë fitues nga sistemi meritë-preferencë. Por ky urdhër mesa duket nuk ka mbërritur ende në Universitetin e Vlorës që nga ana e tij ka vendosur të mos pranojë ata studentë që kanë notën mesatare të shkollës së mesme 6-të e poshtë.
shekulli