KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKثS Sث SHQIPثRISث
V E N D O S I :
PJESA I
ORGANIZIMI I NOTERISث
KREU I
DISPOZITA Tث PثRGJITHSHME
Neni 1
Noteria në Republikën e Shqipërisë kryen veprimtari juridike në shërbim të personave fizikë e juridikë, nëpërmjet redaktimit të akteve dhe kryerjes së veprimeve noteriale, në pajtim me Kushtetutën e legjislacionin në fuqi. Noteri, në ushtrimin e profesionit të tij, është i lirë dhe i nënshtrohet vetëm ligjit.
Neni 2
Kushtet për t'u bërë noter
1.Profesionin e noterit mund ta ushtrojë çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili plotëson këto kushte:
a) ka kryer arsimin e lartë juridik;
b) ka zotësi të plotë për të vepruar;
c) është jo më pak se 26 vjeç dhe jo më shumë se 55 vjeç në çastin e dhënies së provimit të kualifikimit për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit;
ç) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje;
d) nuk është larguar nga detyra apo funksioni i gjyqtarit, i prokurorit ose i nëpunësit të administratës publike për shkelje të rregullave dhe të disiplinës në punë gjatë 3 vjetëve të fundit nga data e paraqitjes së kërkesës për lejimin e ushtrimit të profesionit të noterit;
dh) ka punuar jo më pak se 2 vjet asistent pranë një noteri; e) ka marrë pjesë në provimin e kualifikimit për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit dhe është vlerësuar me jo më pak se 80 për qind të pikëve të caktuara për konkurrim; ë) është pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të noterit;
f) është anëtar i një dhome noterie.
2. Shtetasit që janë deputetë me arsim të lartë juridik, ose që kanë punuar jo më pak se 2 vjet si gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë, ose kanë jo më pak se 3 vjet përvojë në pozicionin e drejtuesit, këshilltarit apo të specialistit të strukturave juridike pranë Presidentit, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Avokatit të Popullit, aparatit të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë ose
në atë të punonjësit akademik të brendshëm të lëndëve juridike në shkollat e larta universitare përjashtohen nga afati i parashikuar në pikën 1 shkronja “dh “ të këtij neni.
Neni 3
Kualifikimi
Dhoma Kombëtare e Noterisë njofton për vendin vakant për ushtrimin e veprimtarisë së noterit, i cili shpallet publikisht nga Ministri i Drejtësisë në Fletoren Zyrtare jo më vonë se 15 ditë nga krijimi i këtij vendi.
Plotësimi i vendit vakant duhet të realizohet nëpërmjet transferimit të noterëve dhe, nëse kjo nuk është e mundur, nëpërmjet konkurrimit të shtetasve shqiptarë që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 2 të këtij ligji.
Në mungesë të propozimeve për transferim të noterëve dhe mbi bazën e kërkesave të parashtruara për të ushtruar veprimtarinë noteriale, Ministri i Drejtësisë organizon konkurrimin për plotësimin e vendit vakant dhe provimin përkatës të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të noterit jo më vonë se 30 ditë nga afati i përmendur në paragrafin e gjashtë të nenit 3/ç.
Provimi i kualifikimit jepet përpara Komisionit të Kualifikimit për Noterinë, i cili përbëhet nga 3 përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, 1 përfaqësues i Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe 1 pedagog nga Shkolla e Magjistraturës.
Ministri i Drejtësisë përcakton datën e konkurrimit, rregullat për funksionimin e Komisionit të Kualifikimit për Noterinë, kriteret dhe procedurat e organizmit të provimit, si dhe bën shpalljen e rezultateve të provimit.”.
Neni 3/a (shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 4)
Ministri i Drejtësisë, për çdo vend vakant të shpallur, në mbështetje të rezultateve të provimit, i jep fituesit të konkurrimit lejen për ushtrimin e profesionit të noterit, duke u shprehur edhe për njësinë vendore ku do të ushtrojë veprimtarinë e tij.
Shtetasi që është shpallur fitues për ushtrimin e profesionit të noterit në më shumë se një vend vakant, duhet që brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit të provimit të njoftojë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë për zgjedhjen e tij.
Nëse nuk përmbushet detyrimi i përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, Ministri i Drejtësisë cakton vendin vakant që do të plotësojë fituesi, si dhe vendet e tjera vakante që do të plotësohen nga konkurrentët e renditur menjëherë pas fituesit, por që kanë marrë mbi 80 për qind të pikëve.
Neni 3/b (shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 4)
Leja për ushtrimin e profesionit të noterit, së bashku me të dhënat përkatëse, regjistrohen në regjistrin e noterëve pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe në Dhomën Kombëtare të Noterisë.
Shtetasi i pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të noterit nga Ministri i Drejtësisë duhet të fillojë ushtrimin e veprimtarisë noteriale në vendin e shpallur vakant jo më vonë se 60 ditë nga data e lëshimit të lejes.
Me kalimin e këtij afati, sipas njoftimit nga Dhoma Kombëtare e Noterisë ose vetë i interesuari, leja për ushtrimin e veprimtarisë noteriale shfuqizohet dhe Ministri i Drejtësisë,mbështetur në rezultatet e konkurrimit, i jep lejen e ushtrimit të profesionit të noterit shtetasit të renditur menjëherë pas fituesit të konkurrimit.
Në rast se edhe ky i fundit nuk e fillon ushtrimin e veprimtarisë së tij noteriale brenda afatit 60-ditor, leja për ushtrimin e profesionit të noterit shfuqizohet dhe nëse nuk ka fitues të tjerë që kanë marrë mbi 80 për qind të pikëve, për plotësimin e vendit vakant zhvillohet një konkurrim i ri.
Neni 3/c Asistenca
Noteri, në ushtrimin e veprimtarisë së vet noteriale, mund të asistohet nga një ose më shumë asistentë. Brenda 15 ditëve nga lidhja e kontratës me asistentin, noteri duhet të depozitojë në dhomën e noterisë ku është anëtar, në Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe në Ministrinë e Drejtësisë kopje të kontratës dhe dokumentacionin ligjor të kërkuar për asistentët.
Përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së tij, asistenti duhet të regjistrohet në regjistrin përkatës të Ministrisë së Drejtësisë dhe të depozitojë dokumentacionin e kërkuar prej saj.
Asistenti që ka më shumë se 2 vjet në ushtrimin e kësaj veprimtarie, pajiset me certifikatë të lëshuar nga Dhoma Kombëtare e Noterisë pasi të jetë marrë edhe vlerësimi pozitiv i noterit, pranë të cilit ka punuar asistenti.
Asistenti i pajisur me certifikatë dhe që plotëson kushtet e tjera të përcaktuara në nenin 2 të këtij ligji, ka të drejtë të marrë pjesë në konkurrimet e organizuara për ushtrimin e profesionit të noterit në plotësimin e vendeve vakante.
Ministri i Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë caktojnë bashkërisht rregulla të hollësishme lidhur me procedurat e paraqitjes së kërkesës dhe caktimit të asistentit pranë noterit, si dhe të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë përiudhës së ushtrimit të kësaj veprimtarie.
Neni 3/ç (shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 6)
Transferimi i noterit bëhet vetëm me kërkesën e tij. Noteri që kërkon të transferohet, regjistrohet në listën e noterëve që janë në pritje për transferim, e cila mbahet nga Dhoma Kombëtare e Noterisë.
Dhoma Kombëtare e Noterisë, brenda 30 ditëve nga regjistrimi i kërkesës, i dërgon Ministrisë së Drejtësisë njoftimin zyrtar për këtë regjistrim dhe një kopje të kërkesës përkatëse të noterit që kërkon të transferohet.
Noterët kanë të drejtën e transferimit të veprimtarisë së tyre në një tjetër juridiksion rrethi gjyqësor në përputhje me radhën e regjistrimit të kërkesave përkatëse të transferimit për atë juridiksion, që rezulton nga lista e përmendur në paragrafin e dytë të këtij neni.
Lejimi i një noteri për të transferuar veprimtarinë e vet në juridiksionin e një rrethi tjetër gjyqësor bëhet nga Ministri i Drejtësisë, pasi ka marrë më parë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë për këtë transferim. Dhoma Kombëtare e Noterisë duhet të japë mendimin e saj me shkrim brenda 15 ditëve nga data e shpalljes në Fletoren Zyrtare të vendit vakant të noterit në atë juridiksion.
Ministri i Drejtësisë lejon transferimin e veprimtarisë së një noteri jo më vonë se 30 ditë nga data e shpalljes në Fletoren Zyrtare të vendit vakant të noterit në atë juridiksion. Në asnjë rast transferimet nuk mund të përbëjnë më shumë se 50 për qind të vendeve vakante për çdo dhomë noterie.
Noteri i transferuar duhet të fillojë ushtrimin e veprimtarisë noteriale në rrethin gjyqësor ku është transferuar jo më vonë se 60 ditë nga data e daljes së urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për transferimin e tij. Me kalimin e këtij afati, noterit të transferuar i hiqet leja për ushtrimin e profesionit të noterit.
Neni 4
Për efekt të ushtrimit të funksioneve të tij, noteri barazohet me nëpunësin publik dhe gëzon mbrojtjen sipas ligjit.
Neni 5
Noteri nuk mund të jetë gjyqtar, prokuror, hetues, avokat, arbitër i zgjedhur nga palët dhe as të kryejë veprimtari tjetër publike e private, përveç asaj shkencore e mësimdhënëse.
Neni 6 (Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 5) (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 7)
Heqja e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit bëhet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë kur:
a) heq dorë me kërkesën e tij nga ushtrimi i profesionit të noterit;
b) mbush moshën 65 vjeç;
c) humbet zotësinë e plotë për të vepruar;
ç) bëhet i paaftë për të ushtruar veprimtarinë për shkak sëmundjeje për një kohë më të gjatë se 6 muaj gjatë një viti;
d) vërtetohet se është emëruar në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në nenin 2 të këtij ligji;
dh) dënohet për një vepër penale të kryer me dashje;
e) tregon paaftësi profesionale në kryerjen e detyrës;
ë) nuk ushtron veprimtarinë noteriale për një periudhë kohe deri në 30 ditë rresht pa njoftuar me shkrim Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe Ministrinë e Drejtësisë;
f) shkel rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat që lidhen me ushtrimin e profesionit të noterit, të parashikuara në këtë ligj dhe në Kodin e Etikës Profesionale, të propozuar nga Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe të miratuar nga Ministri i Drejtësisë;
g) i është dhënë në mënyrë të përsëritur masa disiplinore e parashikuar në nenin 7 shkronja “b” të këtij ligji;
gj) i është dhënë paraprakisht një nga masat disiplinore të shkronjave “c” dhe “ç” të nenit 7 të këtij ligji dhe kjo masë disiplinore nuk është parashkruar.
Neni 7 (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 8)
Për shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe të veprimtarisë së noterit, ndaj tyre jepen këto masa disiplinore:
a) vërejtje;
b) gjobë nga 5 000 deri në 50 000 lekë;
c) vërejtje me paralajmërim për heqje të lejes për ushtrimin e profesionit të noterit;
ç) heqje e lejes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit për një periudhë deri në 2 vjet;
d) heqje e lejes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit.
Neni 8
(shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 6) (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 9)
Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të nenit 7 të këtij ligji jepen nga Ministri i Drejtësisë nëse vërtetohen shkelje nga verifikimet dhe inspektimet e kryera kryesisht prej tij ose nga dhoma e noterisë ku është anëtar noteri, i cili procedohet disiplinarisht. Në rast se dhoma e noterisë refuzon të japë masën displinore pa shkaqe të motivuara, me kërkesë të personit të dëmtuar, ajo mund të jepet nga Ministri i Drejtësisë.
Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “c” dhe “d” të nenit 7 të këtij ligji jepen nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e dhomës së noterisë ku është anëtar noteri që do të procedohet disiplinarisht ose kryesisht, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të kësaj dhome. Masat displinore jepen brenda 6 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 3 vjet nga momenti i kryerjes së saj.
Masat disiplinore jepen sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
Neni 9 (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 10)
Kundër Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit, për transferimin e noterit ose për përsëritjen e konkurrimit për vendet vakante, për procedurën e zhvillimit të provimit të kualifikimit, si dhe për masat disiplinore të dhëna ndaj noterit mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit në Gjykatën e Apelit Tiranë.
E njëjta rrugë ankimore ndiqet edhe për masat displinore të dhëna nga dhoma e noterisë ku bën pjesë noteri, ndaj të cilit është marrë masa disiplinore.
Urdhrat e Ministrit të Drejtësisë që përmbajnë masa disiplinore, pas kalimit të afatit të ankimit ose kur lihen në fuqi nga gjykata, regjistrohen në regjistrin e noterëve pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Një kopje e tyre depozitohet në dosjen e noterit.
Neni 10 (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 11)
Masat disiplinore të dhëna sipas nenit 7 të këtij ligji konsiderohen se nuk janë dhënë në rastet kur nga data e dhënies së tyre:
a) ka kaluar 1 vit për masën disiplinore të vërejtjes;
b) kanë kaluar 2 vjet për masën disiplinore të vërejtjes me paralajmërim për heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit;
c) kanë kaluar 3 vjet për masën disiplinore për heqjen e përkohshme të lejes së ushtrimit të profesionit të noterit.
Neni 11 (Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 7)
Noteri, para se të fillojë detyrën e tij, bën këtë betim: “Betohem se detyrat e noterit do t’i kryej në bazë të ligjit dhe ndërgjegjes duke i qëndruar besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipëris, do të ruaj sekretin profesional dhe në qëndrimet dhe sjelljet e mia do të udhëhiqem nga parimet e humanizmit e të respektit ndaj njeriut”.
Betimi bëhet përpara ministrit të Drejtësisë ose personit të autorizuar prej tij.
Neni 12 (Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 8) (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 12)
Noteri mund të ushtrojë veprimtarinë e vet vetëm në një zyrë noterie. Në një zyrë noterie duhet të punojë vetëm një noter dhe në ushtrimin e veprimtarisë ai mund të ndihmohet nga asistentët ose personeli administrativ.
Dy ose më shumë noterë mund të punojnë bashkë në një zyrë noterie vetëm me miratimin e Dhomës Kombëtare të Noterisë. Përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, në rastet e transferimit ose të ndryshimit të
vendndodhjes së zyrës së noterisë, noteri duhet të lajmërojë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Noterisë brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë në adresën e re.
Noteri duhet të sigurojë zyra dhe mjedise të sigurta e të përshtatshme për të ushtruar veprimtarinë dhe profesionin e noterit. Kushtet minimale që duhet të plotësojë një noter për vendndodhjen, mjediset, pajisjet dhe paraqitjen e zyrës së noterisë caktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë.”.
Redaktimi i fundit: