“San Marinon nuk e konsiderojmë një rival të lehtë pasi janë të organizuar. Ne duhet të kemi shpirtin e duhur të garës dhe të bëjmë një lojë të mirë. Jemi në gjendje të mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm ndaj kundërsulmeve të tyre. Mendoj vetëm për këtë ndeshje. Nëse do të kalonim në vendin e dytë do të ishte një arritje shumë e madhe”.
Kështu e komentoi trajneri Edy Reja sfidën e së mërkurës ndaj San Marinos në Elbasan Arena të vlefshme për eliminatoret e Botërorit të Katarit. Më tej, ai u shpreh optimist për të ardhmen dhe për mbylljen e grupit në vendin e dytë.
“Hungaria është një skuadër shumë e fortë fizikisht, po ashtu edhe Polonia e cila ka individ shumë të mirë, por ne kemi pasur rritje dhe kemi bërë përmirësime në vazhdimësi. Çelësi është ndryshimi i mentalitetit të Kombëtares shqiptare. Tani jemi më kompakt dhe një skuadër më e pjekur. Në ndeshjet e fundit kemi bërë gabime dhe këto duhet t’i korrigjojmë në vazhdim. Nëse do t’ia arrijmë ne do të luajmë shanset tona për Botërorin.
Sa i përket formacionit ndaj San Marinos, Reja u shpreh se do të ketë ndryshime. “Kemi dy lojtarë që do të mungojnë, Gjasula i skualifikuar dhe Abrashi i dëmtuar. Megjithatë, nuk duhet të prishin balancat pasi më duhet të shoh edhe mënyrën e lojës. Do të pres se cila është gjendja e lojtarëve për të marrë më pas një vendim më të qartë. Ata që do të kthehen do të jenë një armë më shumë”.
A2news.com