Të ikur
Më thoje që të mungoja,
Të njëjtën ndjej për ty,
Mbrëmjeve mungesa jote vjen,
Në kokë bie, si verë e ëmbël.
Kujtimet shndërrijnë fort,
Vezullime të purpurta, të qelqta
Nuk dua ta humb asnjë çast,
Mundësinë që do të më kërkosh.
Shumë gjëra ndodhën mes nesh,
Shumë njerëz na bënë të kuptojmë,
Kush ishim, kush jemi tani,
Koha rrëfen me nostalgji,
Fatalisht, butësisht, qetësisht.
Zëri i shpirtit tim ende të flet si dikur,
Si të mos kishte ndryshuar asgjë,
Ëndrrat e natës kthejnë kohën e shkuar,
Në zgjimin hidhur të një mëngjesi të ngrysur,
Sytë e mendjes të shohin të përmalluar.
Marrëzinë time të përhershme,
Gjithmonë, ma ke vënë në dukje,
E unë nuk zë mend kurrë,
Të doja i humbur, i dorëzuar, i pandalur.
E troshitura zemër,
Mbushur plotësisht, rreh ngadalë,
Me copëza fjalësh, rrokjezon ndrojtur,
Pastaj jehon, ulërin, tronditet.
Hapat me frikë në të panjohurën,
Shndërrohen në mërgim të vrerë.
Përpiqesha të të doja denjësisht,
Të mbaja gjithçka, të të ktheja buzëqeshjen,
Ngazëllehesha në zërin melodioz,
E dënesat e tua, në gjoksin tim,
Kapërdija, fashitja vjedhurazi.
Fëmijëria jote e shpenguar,
E çlirët vinte, si fllad pranvere,
E dija se ishin çastet më të bukura,
Ti ishe e sigurtë, e lumtur pranë meje.
Dëshira nuk përzgjidhte tek ti,
Gëzimet si mundimet, më përkisnin,
I mbaja krenarisht në vete.
Herë me përdëllim, herë të ëmbla,
Maturoheshin, distiloheshin në qeliza,
Në gllënka pasioni, tashmë mbytës.
Kapërdirjet u bënë të zorshme, të athëta
Grahma të fundit të ikjes.
Dikush tjetër troket tek ti...
Ngre dolli... Do të jetë më i mirë ai...