nga Edison اERAJ
Nihilizmi bashkëkohor është shfaqur dhe është përvijuar si një formë religjioni në mbretërinë e qytetërimit. Nihilizmi nuk është mohim i Zotit, por protestë se përse nuk ka Zot, ose – si te Beckett-i – protestë përse nuk ka njeri, përse njeriu s’është i mundur, përse nuk është realizueshëm në kushtet e ekzistencës? Gjithnjë nëse ai nuk është flakur në këto kushte, por është vendosur, dhe çdo gjë e vendosur del që ka një qëllim për të përmbushur; ndërkohë që gjëja e flakur e ka përmbushur/përfunduar qëllimin.
Ndërkaq, ky qëndrim, implikon, jo përfytyrimin shkencor, por atë religjioz të njeriut dhe të botës. Njeriu sipas shkencës, është i mundshëm dhe i realizueshëm, por këtu dhe tani. Porse, “çdo gjë përfundimtare nuk është njerëzore”. Fjala e njohur e Sartre-t, se “njeriu është synim i kotë”, është religjioze edhe për nga kumbimi edhe për nga kuptimi, sepse ajo shpreh një qëndrim i cili shkaktohet nga shpërfytyrimi i frymës religjioze, e cila përbën një paprani, një hiç kërcënues, dhe si i tillë, ky konstatim trason mundimshëm në një truall religjioz par excellence.
Për materializmin nuk ka synime dhe as kotësi – nuk ka kotësi meqë s’ka synime. Duke e flakur qëllimin si një kuptim më të lartë të fjalës, materializmi u lirua nga rreziku i absurdit dhe i kotësisë. Bota dhe njeriu në të kanë cak praktik, kanë funksion, qoftë ky edhe zoologjik. Përfundimi se njeriu është pasion i kotë, përfshin vetëdijen se njeriu dhe bota s’janë të një rrafshi, sepse njeriu është vendosur në botë, ka ardhur me bujtë e më pas i duhet të vazhdojë udhëtimin.
Me një qëndrim të tillë, të njëjtë radikal ndaj botës, ka zanafilluar çdo religjion. Kotësia e Sartre-t ose absurdi i Camus-ë, manifestojnë kërkimin e qëllimit e të kuptimit, kërkim i cili, ndryshe nga religjioni, përfundon pa sukses. Ky kërkim është religjioz, sepse është flakje e qëllimit tokësor të jetës njerëzore, flakje e funksionit. اdo kërkim i Zotit është religjion. Nga ana tjetër, jo çdo kërkim është zbulim.
Nihilizmi është zhgënjim, jo për shkak të botës dhe të rendit, por sepse në gjithësi nuk ka Zot. اdo gjë është e kotë dhe absurde nëse njeriu vdes përgjithmonë.
Filozofia e absurdit, tekstualisht, nuk bën fjalë për religjionin, por e shpreh në formë eksplicite bindjen se njeriu dhe bota nuk u bënë përmbi kushte të njëjta. Kjo filozofi, shpërfaq atë formë ankthi, që në të gjitha etapat, përjashto përfundimin e mbramë, është religjioz.
Njeriu, qoftë për nihilizmin qoftë për religjionin, është i huaj në këtë botë. Për nihilistët, është i huaj sepse është i pashpresë, ndërsa për religjionin sepse bart shpresën e shpëtimit.
Mendimet e Camus-ë mund të merren si mendime të një besimtari të zhgënjyer. Le të citojmë diçka prej reflektimeve të tij në këtë kontekst: “Në një botë në të cilën zhduket sakaq iluzioni dhe dritat, njeriu ndihet si i huaj. Ky është dëbim pa dalje, duke qenë se aty nuk ruhen kujtimet e vatrës së humbur, as shpresat se më në fund do të arrihet në ndonjë tokë të premtuar.” Diku tjetër: “Sikur të isha një dru ndër drurë… kjo jetë do të kishte kuptim, ose më mirë, kjo çështje nuk do të shtrohej, meqë unë do përbëja pjesën e kësaj bote. Do të isha kjo botë, të cilës tani i kundërvihem me të gjithë vetëdijen time.” “اdo gjë është e lejuar meqë Zoti nuk ekziston dhe meqë njeriu vdes.”
Arsyetimi i fundit, nuk ka të bëjë fare me ateizmin sipërfaqësor dhe të bindur të mendimtarëve racionalistë. Përkundrazi, ky arsyetim është më shumë një kujë e heshtur e një shpirti të drobitur duke kërkuar Zotin, pa mundur ta gjejë. Kemi të bëjmë me një ateizëm që shkaktohet nga dëshpërimi.
Rreth çështjes së lirisë morale, ekzistencializmi ka të njëjtin qëndrim si religjioni. Simone de Bouvoire shkruan: “Në fillim njeriu s’është asgjë. Ai ka në dorë të bëhet i mirë ose i keq, në varësi të faktit se a e pranon lirinë apo jo. Liria i parashtron në mënyrë absolute qëllimet e veta dhe s’ka asnjë forcë të jashtme, qoftë kjo edhe vdekja, që të jetë në gjendje të shkatërrojë atë që ajo ka themeluar… Nëse loja e panisur s’është e humbur, as e fituar, atëherë është e nevojshme të luftohet e të rrezikohet çast pas çasti.” (L’existentialisme et la Sagesse des Nations[1])
Edhe dyzimi i qenies që teorizon Sartre (être en soi dhe être por soi[2]), është një mohim i qartë i materializmit. Vetëm emërtimet janë të reja, ndërsa thelbi është i kryehershëm dhe mund të identifikohet krejt lehtë.
Kur kritikohet qytetërimi, nuk synohet mohimi dhe përjashtimi i tij, sepse edhe sikur të donim një gjë e tillë është e pamundur. Ajo që duhet bërë dhe mund të bëhet, është rrënimi i mitit të tij. Pikërisht kjo është pikënisja për të menduarit sipas Heidegger-it, sepse mekanika dhe teknika e qytetërimit rrezikon ta vrasë mendimin (të bëjë atë instrumental) dhe për pasojë edhe lirinë.[3]
[1] Ekzistencializmi dhe urtësia e popujve
[2] Qenie më vete dhe qenie për vete
[3] Interpretim i nënkapitullit Nihilizmi, nga libri Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, i Alija Izetbegoviç-it.