Protesta, ambasadori britanik: Jemi të trishtuar, dhuna s’është përgjigjja
Në një postim në Twitter, ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman ka reaguar pas dhunës në protestën e djeshme te Rruga e Kombit. Duke thënë se dhuna nuk është përgjigjje, ai shton se ndihet i trishtuar për incidentin e djeshëm.
”Të trishtuar nga plagët e shkaktuara në incidentin e djeshëm në autostradën e Kukësit. Dhuna nuk është përgjigjja”,-tha Norman.
Nga përplasja dje në Rrugën e Kombit u plagosën 13 efektivë police dhe disa qytetarë, ndërsa 23 protestues janë arrestuar nga policia të akuzuar për dhunë. Protesta e djeshme në Rrugën e Kombit u zhvillua për të kundërshtuar taksën.
Kryebashkiaku i Kukësit – Ramës: Nuk takohemi pa u liruar protestuesit!
Për situatën e tensionuar në Kukës ku janë arrestuar 23 protestues dhe priten të tjera ndalime nga policia, ka reaguar për mediat edhe kryebashkiaku demokrat Bashkim Shehu, i cili tha se mbështet plotësisht tubimin paqësor të qytetarëve.
Shehu pati një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar publikisht se nuk do të shkojë nesër në takimin me të, nëse nuk lirohen më parë protestuesit.
“Ka edhe brenda protestuesve socialistë të ndershëm. Nuk bëhet kjo punë me përjashtime. Duhet të ulet me qytetarët. Unë nuk kam pse largohem asnjë minutë nga Kukësi. Nëse Qeveria do të dëgjojë qytetarët e Kukësit le të vijë përmes institucioneve dhe të komunikojë me qytetarët. Unë nuk shkoj në takim me kryeministrin nëse nuk lirohen protestuesit”, u shpreh Shehu.
Ai shtoi më tej se e ka deklaruar se nuk është kundër taksës, por “sa kohë që qytetarët e mi ndihen keq, unë përfaqësoj vetëm ata”.
“Kryeministri duhet të marrë masa urgjente. Unë e kam deklaruar se nuk jam kundër taksës. Ka një praktikë që edhe mund të ulet taksa. Bashkim Shehu bëhet pjesë e çdo proteste që organizon PD, qytetarët e Kukësit apo shoqëria civile”, tha ndër të tjera kryebashkiaku.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë, që të hetojë me paanshmëri ata çfarë ndodhi ditën e djeshme pranë impiantit, ku duhej të paguhej taksa e rrugës.
1 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)
Qytetarët protestojnë në Kukës: Nëse ka ligj, arrestimet bëhen ditën!
Qytetarët e Kukësit vazhdojnë të protestojnë përpara komisariatit të qytetit, ku kërkojnë lirimin e personave të arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit.
Me thirrjet “Turp, Turp!” dhe pankarta në duar që ironizojnë deklaratën e bërë nga Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare të së enjtes, ata i krahasojnë arrestimet e bëra gjatë orëve të natës me metodat e diktaturës.
“Policia vjen ditën! Nëse ka ligj dhe ka shtet, vjen ditën, jo natën”, thonë ata.
Numri i protestuesve u shtua pak pas orës 16:00 pas thirrjes së bërë përmes rrjeteve sociale për t’u grumbulluar para komisariatit kundër arrestimit të 23 personave nga ana e policisë, që akuzohen si përgjegjës të dhunës së shpërthyer në protestën e zhvilluar në hyrje të tunelit të Kalimashit kundër tarifës në Rrugën e Kombit.