Burri mban në trup një këmishë të stripsur, njëra mëngë e së cilës, valëvitet në ajër bosh.
Qëndron në cep të bulevardit kryesor, i ulur mbi një copë kartoni të squllur, ndërsa mëngën tjetër, ( me krahun brenda saj ), e zgjat nga kalimtarët.
Herë-herë, era ia mbështjell mëngën bosh, rreth qafës, rreth flokëve… më pas ia sh’pështjell… dhe pak më tej… ia shtrin mbi kraharor.
Qëllon ndonjëherë që mënga valëvitëse të përplaset mbi fytyrën e ndonjë kalimtari.
Kalimtari shan nëpër dhëmbë dhe e largon atë nga fytyra pa i ndalur hapat.
Një tjetër hedh ndonjë mbeturinë letre, tek qesja e tij, e monedhave (aty rrotull nuk ka kosh plehërash), ndërsa ndonjë fëmije i vogël, ia qëllon atë me majën e këpucës.
E shoh përditë në të njëjtin vend, ulur mbi të njëjten copë kartoni, veshur në të njëjtën këmishë të stripsur (këmisha është e pastripsur vetëm te pjesa e mëngës bosh). Ajo ka ngjyrë të zbardhëllyer, dikur duhet të ketë qenë e kaltër ose blu. Mënga tjetër (me krahun brenda saj ) zgjatet plogësht në ajër, por nuk duket dhe aq e perfeksionuar ne çastin e zgjatjes, ajo është e pasigurt. Duket se është gati të kthehet menjëherë mbrapsht, të tkurret e të bëhet një grusht, nëse ndesh qoftë edhe fijen më të hollë të pakënaqësisë në sytë e kalimtarëve.
Ja… kjo e fundit nuk mungon të mbrrijë.
Ka pamjen e një gruaje të trashë në trup, rreth të pesëdhjetave. Buzët i mban të mbledhura, ndërsa është duke biseduar, me një tjetër grua përkrah saj. Edhe kjo duket se është rreth të pesëdhjetave, por ka sy të butë dhe zë të ëmbël. Tashmë ato janë duke iu afruar afër vendit ku është ulur burri. Dëgjohet vetëm zëri i lartë i gruas trup-trashë, tjetra vetem sa miraton me kokë.
Burri ngre sytë ngadalë… gjithashtu ngadalë, ai fillon të zgjasë mëngën me krahun e thatë brenda.
Gruaja trup-trashë ndalon hapat dhe i shfryn atij mbi fytyrë një shtëllungë frymë të rëndë.
- Kujt do t’ia hedhësh? E ke fshehur krahun…
Ajo guxon më shumë ; zgjat gishtat e buhavitur drejt mëngës bosh, në kërkim të krahut të fshehur.
- Mashtruesë… edhe juve kemi mangut, nuk na mjaftojnë hallet tona…
Dora vazhdon të zgjatet e të mbledhë shuk mëngën bosh… ajo vazhdon të kërkojë gjithë nervozizëm krahun e fshehur. Ajo zgjatet e zgjatet, derisa gishtat kapin një cung mishi… atje, gishtat e buhavitur ndalen.
Gruaja trup-trashë qëndron si trung i prerë përpara burrit.
Tjetra, menjëherë e terheq nga krahu.
Të dyja largohen me të shpejtë.
- Kjo menopauza… po më çmend… – mërmërin gruaja trup-trashë si t’i flasë vetes.
Gruaja me sy te butë vetëm sa miraton me kokë.
Burrin, vazhdoj ta shoh të ulur mbi copën e kartonit. Në sy, shoh t’i dergjet një dëshperim i heshtur, ndërsa mënga bosh, nis sërish erë-valëvitjen… tashmë ajo i ka mbrritur mbi flokë… e butësisht, nis t’ia lëmojë…
©Arlinda G.