Investimet
Neni 243
Pronari dhe uzufruktari duhet të merren vesh që paratë objekt
uzufrukti të investohen në mënyrë frutdhënëse ose të shpenzohen në
interes të pasurisë tjetër në uzufrukt.
Dhënia me qira
Neni 244
Uzufruktari ka të drejtë të japë me qira sendet në uzufrukt
përveç kur është parashikuar ndrysh e në aktin e krijimit të tij.
Kur mbaron uzufrukti, pronari duhet të respektojë qiranë e
filluar normalisht më parë, përveç kur zgjatja e afatit të saj
është bërë pa pëlqimin e tij. Kur uzufruktari ose qiramarrësi i
kanë kërkuar pëlqimin pronarit për qiradhënien dhe ky nuk është
përgjigjur në afatin e caktuar, quhet se pëlqimi është dhënë.
Kur pushon uzufrukti, qiradhëniet për një afat mbi pesë
vjet,kanë vlerë vetëm për pesë vjet nga dita që ka filluar
qiradhënia.
Gëzimi i servituteve
Neni 245
Uzufruktari gëzon të drejtat e servituteve të lidhura me
pronën mbi të cilën ka uzufruktin dhe të drejtat e tjera reale që
do t'i gëzonte vetë pronari, përveç kufizimeve të parashikuara në
aktin e krijimit apo në ligj.
KREU III
DETYRIME QE RRJEDHIN NGA UZUFRUKTI
Zëvendësimi i dëmeve
Neni 246
Uzufruktari detyrohet të shpërblejë vleftën e sendit të humbur
ose të dëmtimit të tij, përveç kur provon se nuk janë shkaktuar për
fajin e tij.
Ai detyrohet të zëvendësojë sendet që, sipas uzufruktit, nuk
kishte të drejtë t'i konsumonte.
Inventaret
Neni 247
Uzufruktari merr në dorëzim sendet në gjëndjen që ndodhen para
fillimit të uzufruktit. Sendet në uzufrukt merren në dorëzim me
inventar të bërë me akt noterial, në prani të pronarit, pasi të
jetë njoftuar në një afat të përshtatshëm. Eshtë e drejtë e palëve
që në inventar të shënohen të gjitha hollësitë që kanë lidhje me
përcaktimin dhe gjëndjen e sendeve që merren në uzufrukt.
Inventari mund të kryhet edhe me akt privat, kur bien në
marrëveshje të dy palët, që janë të pranishëm gjatë kryerjes së
tij. Shpenzimet për kryerjen e inventarit janë në ngarkim të
uzufruktarit, përveç kur parashikohet ndryshe në aktin e krijimit.
Njoftimet periodike
Neni 248
Uzufruktari detyrohet t'i dërgojë pronarit në fund të çdo viti
një njoftim të hollësishëm me shkrim të nënshkruar prej tij, për
sendet që nuk ekzistojnë më ose për sendet që i kanë zëvendësuar
ato, si dhe përfitimet e tjera nga sendet në uzufrukt, që nuk hyjnë
në kategorinë e frutave.
Shpenzimet për kryerjen e deklaratës vjetore, janë në ngarkim
të uzufruktarit, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar
ndryshe.
Dhënia e garancisë
Neni 249
Uzufruktari detyrohet t'i japë pronarit një garanci me shkrim
për përmbushjen e detyrimeve të rrjedhura nga uzufrukti, përveç kur
në aktin e krijimit është shkarkuar nga një detyrim i tillë ose kur
interesat e pronarit mbi sendet në uzufrukt janë siguruar në mënyrë
të mjaftueshme nga një institut i ngarkuar me këtë punë.
Prindërit që kanë uzufruktin ligjor mbi sendet në pronësi të
fëmijëve të tyre, përjashtohen nga dhënia e një garancie të tillë.
Kur uzufruktari është shkarkuar nga detyrimi për dhënien e
garancisë, pronarit i lind e drejta të kërkojë prej tij që t'i
tregohen çdo vit sendet që i janë dhënë në uzufrukt ose të njihet
me njoftimin e një institucioni krediti për paratë apo letrat me
vlerë të depozituara.
Uzufruktari nuk mund të fitojë posedimin e sendeve të vëna në
uzufrukt, pa plotësuar detyrimet që rrjedhin nga ky nen.
Pasojat e mosdhënies së garancisë
Neni 250
Kur uzufruktari nuk jep garanci, merren masa për administrimin
e sendeve në uzufrukt. Sendet e paluajtshme jepen me qira ose i
besohen një administratori të zgjedhur me marrëveshje ndërmjet
pronarit e administratorit dhe kur nuk arrihet një marrëveshje e
tillë, administratori caktohet nga gjykata e rrethit.
Uzufruktari ka të drejtë të mbajë për banim të tij dhe të
familjes së tij, një banesë që përfshihet në uzufrukt.
Paratë që përfshihen në uzufrukt investohen me kamatë.
Sendet e luajtshme që vjetërohen ose dëmtohen nga përdorimi
ose sendet ushqimore që rrezikohen të prishen, shiten dhe vlefta e
tyre jepet me kamatë ose përdoret për sendet në uzufrukt.
Uzufruktari mund të kërkojë t'i lihen sende të luajtshme të
mjaftueshme për përdorim vetjak.
Shpenzimet e mirëmbajtjes
Neni 251
Shpenzimet që nevojiten për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe
administrimin e sendit janë në ngarkim të uzufruktarit. Janë
gjithashtu në ngarkim të tij edhe shpenzimet për ndreqjet jo të
zakonshme, kur ato janë rrjedhim i mospërmbushjes së detyrimeve të
tij ndaj sendit në uzufrukt.
Riparimet e jashtëzakonshme janë në ngarkim të pronarit. Kur
pronari refuzon t'i kryejë ato ose të tjerat që i janë ngarkuar
atij, ose vonon pa arsye kryerjen e tyre, uzufruktari i kryen vetë
meshpenzimet e tij, të cilat shlyhen deri në përfundimin e
uzufruktit. Uzufruktari k a të drejtë të mbajë sendin e ndrequr deri
në shlyerjen e shpenzimeve.
Sigurimi i uzufruktit
Neni 252
Uzufruktari duhet të sigurojë sendet në uzufrukt në favor të
pronarit për rreziqet që zakonisht ato duhet të sigurohen ose që
janë të detyrueshme nga ligji. Në rast dëmtimi uzufrukti shtrihet
mbi shpërblimin e paguar.
Kur uzufrukti nuk përmbush një detyrim të tillë, pronari ka të
drejtë të bëjë vetë sigurimin e pronës dhe uzufruktari detyrohet
t'i paguajë shpenzimet përkatëse.
Shpronësimi i sendeve në uzufrukt
Neni 253
Kur sendi shpronësohet për interesa publikë, uzufrukti kalon
mbi shpërblimin përkatës.
Pagimi i taksave dhe i detyrimeve të tjera
Neni 254
Tatimet, taksat, shpëblimet, rentat tokësore dhe detyrimet e
tjera vjetore që kanë lidhje me të ardhurat gjatë uzufruktit janë
në ngarkim të uzufruktarit.
Tatimet, taksat e detyrimet e tjera në ngarkim të pronës gjatë
uzufruktit, janë në ngarkim të pronarit.
KREU IV
MBARIMI I UZUFRUKTIT
Neni 255
Uzufrukti mbaron:
- me vdekjen e uzufruktarit ose me mbarimin e personit juridik
uzufruktar;
- me mbarimin e afatit të caktuar në aktin e krijimit;
- me bashkimin e cilësive të pronarit e të uzufruktarit në një
person të vetëm;
- me shkatërrimin tërësisht ose humbjen e sendit të dhënë në
uzufrukt;
- me mospërdorimin e uzufruktit radhazi për njëzetë vjet.
Pushimi i uzufruktit
Neni 256
Uzufrukti mund të pushojë kur uzufruktari shpërdoron të
drejtat ose nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga uzufrukti.
Megjithatë gjykata, sipas rrethanave që do të rezultojnë mund
të urdhërojë që uzufruktari t'i japë garanci, në rast se ka qënë
shkarkuar nga një detyrim i tillë, ose me kërkesën e pronarit t'i
lihet atij administrimi i sendit në uzufrukt ose një personi tjetër
ose dhe dhënia me qira e sendit.
Heqja dorë nga uzufrukti
Neni 257
Uzufruktari mund të kërkojë që, me shpenzimet e tij, të heqë
dorë nga uzufrukti për shkak të barrëve e detyrimeve që rrjedhin
prej tij.
Kthimi i sendeve në uzufrukt
Neni 258
Kur mbaron uzufrukti, uzufruktari ose trashëgimtarët e tij
detyrohen të vënë në dispozicion të pronarit sendet e vëna në
uzufrukt.
TITULLI V
PERDORIMI E BANIMI
Neni 259
Personi që ka një të drejtë thjesht përdorimi mbi një send, e
përdor atë dhe gëzon frutet e tij në masën që ka nevojë për vete e
për familjen e tij.
Kur objekti i të drejtës së përdorimit është një banesë,
personi ka të drejtë të banojë atje sipas nevojave të tij e të
familjes së tij. Sendi ose banesa që përdoret sipas kësaj dispozite
nuk mund të tjetërsohet, të rëndohet dhe as të përdoret nga persona
të tjerë.
Neni 260
Dispozitat që kanë lidhje me uzufruktin zbatohen dhe për të
drejtën e përdorimit dhe të banimit, për aq sa përputhen me këto të
drejta.
TITULLI VI
SERVITUTET
KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME
Neni 261
Servituti është barra që i ngarkohet një prone, për përdorimin
dhe dobinë e një prone të një pronari tjetër.
Neni 262
Servituti vendoset me ligj ose me vullnetin e njeriut.
Neni 263
Pronari i pronës shërbyese nuk është i detyruar të kryejë
ndonjë veprim për të bërë të mundur ushtrimin e servitutit, përveç
kur në ligj ose nga titulli, parashikohet ndryshe.
Neni 264
Pronari, në favor të të cilit është vënë servituti, detyrohet
t'i shpërblejë pronarit të pronës shërbyese dëmin që i shkaktohet
nga krijimi i servitutit.
KREU II
SERVITUTET DETYRUESE
Neni 265
Pronari i një prone që, në bazë të ligjit, ka të drejtë të
kërkojë nga pronari i një prone tjetër krijimin e një servituti, në
mungesë të një marrëveshjeje, mund t'i drejtohet gjykatës.
Servituti detyrues mund të krijohet edhe me akt të organit
shtetëror, në rastet e parashikuara me ligj.
Vendimi duhet të përcaktojë rregullat e ushtrimit të
servitutit dhe shpërblimin e dëmit përkatës.
Rrjedhja e ujërave
Neni 266
Pronari është i detyruar të pranojë në tokën e tij ujërat e
shiut, të borës ose të burimeve të pashfrytëzuara, që rrjedhin
natyrshëm nga një tokë me nivel m ë të lartë. Pronari nuk mund të
ndryshojë këtë rrjedhë natyrore në dëm të një tjetri.
Uji që rrjedh mbi një tokë të mëposhtme mund të mbahet nga
pronari i tokës së mësipërme, vetëm në masën që është e domosdoshme
për atë tokë.
Neni 267
Në rastet kur anëbrigjet dhe shpatet e një prone që shërbenin
për të ndaluar ujërat, janë shkatërruar ose dëmtuar, si dhe kur del
e nevojshme që nga shkaku i ujërave të ndërtohen mbrojtësa dhe
pronari i asaj prone nuk pranon t'i ndërtojë ose t'i riparojë,
pronarët e dëmtuar ose që rrezikohen të dëmtohen, mundet që me
shpenzimet e tyre t'i ndërtojnë ose t'i riparojnë ato.
Këto ndërtime e riparime duhet të kryhen pa iu shkaktuar
pronarit të pronës shërbyese ndonjë dëm, duke respektuar rregullat
e posaçme, kur ka të tilla. Kur pronari i pronës shërbyese ka
kundërshtime, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
Neni 268
Dispozitat e nenit të mësipërm zbatohen edhe kur del e
nevojshme të hiqet një pengesë lëndësh të formuara në një
pronëtjetër ose në një hendek, rrjedhë uji ose vijë kulluese, të
cilat dëmtojnë pronat fqinje.
Neni 269
Pronari që ka një burim uji në pronën e vet është i lirë në
përdorimin e tij, por pa cënuar të drejtat që mund të ketë fituar
pronari i pronës më të ulët në bazë të një titulli ose me
parashkrim.
Neni 270
Në rast se një rrjedhë uji u ndalon pronarëve të pronave
ngjitur, hyrjen në këto ose vazhdimin e vaditjes apo të kullimit të
ujërave, ata që përdorin këtë rrjedhë, detyrohen që në proporcion
me përfitimin që nxirret prej tij (ujit) të ndërtojnë e të
mirëmbajnë urat e mjetet e tjera të kalimit, në mënyrë të volitshme
e të sigurt, si dhe gypat e nëndheshëm ose vepra të tjera të kësaj
natyre për vazhdimin e ujitjes e të kullimit.
Neni 271
Pronari i një toke detyrohet të pranojë pa shpërblim ujërat që
vijnë nga drenazhimi i një toke të mësipërme, kur ato rrjedhin
natyrshëm në tokën e tij.
Kur nga kjo rrjedhë i shkaktohet dëm, ai ka të drejtë të
kërkojë shpërblimin e dëmit dhe marrjen e masave për mënjanimin në
të ardhmen.
Servitutet që rrjedhin nga ndërtimet
Neni 272
Rregullat për ndërtimin e banesave e të ndërtimeve të tjera,
largësia ndërmjet tyre, marrja e dritës dhe e pamjes, nxjerrja e
ballkoneve e ndërtime të tjera të kësaj natyre, rregullohen me ligj
të veçantë duke respektuar të drejtat e pronarit të parashikuara në
këtë Kod e në ligje të veçanta.
Servitutet që rrjedhin nga marrja e ujit
Neni 273
Kalimi i ujërave nëpër pronën e tjetrit duhet të kryhet në
mënyrën më të volitshme e më të përshtatshme me më pak dëme, por pa
penguar ushtrimin normal të servitutit.
Neni 274
Kur kalimi i ujërave kërkohet për një kohë jo më të gjatë se
nëntë vjet, pagimi i vleftës dhe i shpërblimit të dëmeve të
përmendura në dispozitën e mësipërme bëhet në gjysmën e kësaj
vlefte, me detyrimin që me mbarimin e afatit të rivihet gjithçka në
gjendjen e mëparshme.
Ky servitut mund të bëhet i përhershëm kur kjo kërkohet para
mbarimit të afatit, nëpërmjet pagimit të gjysmës tjetër, të vleftës
së bashku me kamatat ligjore, nga data që ka filluar kalimi.
Kur kërkesa bëhet pas mbarimit të afatit, nuk merren parasysh
pagesat për dhënien përkohësisht të kësaj të drejte.
Neni 275
Kur kalimi i ujërave duhet të kryhet duke përshkuar rrugë
publike ose lumenj e ndërtime të tjera publike, zbatohen rregullat
e parashikuara në dispozita të veçanta.
Neni 276
Kur në një shtëpi ose në mjediset e tjera të saj mungon uji i
nevojshëm për jetesën e njerëzve ose të kafshëve dhe nuk mund të
sigurohet ndryshe, ose nevojiten shpenzime të mëdha, pronari i
tokës fqinje duhet të lejojë që një sasi uji tepricë të përdoret në
masën e domosdoshme për nevojat e mësipërme, duke përballuar pala
tjetër vleftën e ujit që kërkohet dhe shpenzimet që duhet të kryhen
për këtë qëllim, si dhe kur është rasti të shpërblejë dëmin që mund
të shkaktohet.
Servituti i kalimit
Neni 277
Pronari që nuk ka dalje në rrugën publike dhe nuk mund ta
sigurojë atë përveç se me shpenzime të mëdha e me vështirësi, ka të
drejtë të ketë rrugë kalimi nga toka fqinje, për përdorimin e
përshtatshëm të pronës së vet.
Kalimi duhet të përbëjë rrugën më të shkurtër për në rrugën
publike dhe me më pak dëme për pronën shërbyese.
Kjo dispozitë zbatohet edhe kur pronari, që i është njohur e
drejta e kalimit në pronën e tjetrit, kërkon zgjerimin e arsyeshëm
të rrugë-kalimit për mjete, duke përfshirë edhe kalimin e mjeteve
mekanike.
Neni 278
Pron ari duhet të lejojë fqinjin të hyjë e të kalojë në tokën
e tij sa herë ka nevojë të ndërtojë ose të ndreqë një mur apo një
vepër tjetër. Ai duhet të lejojë personin që të kërkojë e të marrë
gjënë e gjallë e çdo send tjetër të tij, që ndodhen aty rastësisht
ose sirrjedhim i erës, ujit, orteqeve dhe forcave të tjera madhore,
ndodhen në tokën e tij apo janë bashkuar me sende të tij.
Pronari mund të mos lejojë hyrjen kur merr përsipër të
dorëzojë vetë sendin e ndodhur në tokën e tij. Kur është rasti
pronari i tokës shpërblehet për dëmin e shkaktuar.
Neni 279
Personi që do të kalojë në tokën e tjetrit, duhet të paguajë
vleftën e tokës që zihet, pa zbritur tatimet e barrët e tjera që
lidhen me tokën, si dhe shpërblimin për dëmin që shkaktohet duke
përfshirë edhe dëmin që vjen nga ndërprerja e tokës, nga
mospërdorimi i saj, nga depozitimi i lëndëve të nxjerra e hedhja e
mbeturinave. Pronari i tokës shërbyese ka të drejtë të largojë këto
të fundit dhe ta përdorë sipërfaqen e tokës, por gjithnjë pa
dëmtuar ushtrimin normal të servitutit.
Servituti për vendosjen e gypave, kabllove e telave
Neni 280
Pronari duhet të lejojë persona të tjerë që të ndërtojnë në
pronën e tij të paluajtshme kanale ose të vendosin gypa për kalimin
e ujit ose të gazit, si dhe kabllo e tela telegrafikë ose elektrikë
dhe instalime të tjera të kësaj natyre, por vetëm kur këto vepra
nuk kanë mundësi të kryhen ndryshe ose pa u bërë shpenzime të
mëdha. Pronari, kur i shkaktohet dëm, ka të drejtë të shpërblehet.
KREU III
SERVITUTET VULLNETARE
Neni 281
Pronari mund të krijojë mbi pronat e veta ose në dobi të tyre,
çdo lloj servituti, me kusht që të mos jetë në kundërshtim me
rendin juridik.
Servitutet vullnetare krijohen me kontratë ose me testament.
Neni 282
Servitutet janë vijuese kur ushtrimi i tyre bëhet pa qenë
nevoja për veprime të herëpasherëshme të njeriut, siç janë vijat e
ujit, pikat e strehëve e të tjera të kësaj natyre.
Servitutet janë jo vijuese, kur në ushtrimin e tyre kërkohet
kryerja e veprimeve të tashme të njeriut, siç janë e drejta për të
marrë ujë, për kullotjen e bagëtive e të tjera të kësaj natyre.
Servitutet mund të jenë të dukshme e të padukshme.
Të padukshme janë servitutet për të cilat nuk nevojiten punime
të dukshme ose të përhershme, që janë të nevojshme për ushtrimin e
tyre.
Neni 283
Servitutet vijuese e të dukshme krijohen me titull ose me
parashkrimin dhjetë vjeçar. Servitutet vijuese të padukshme dhe
servitutet jo vijuese, të dukshme ose jo, nuk mund të krijohen
veçse me titull.
Neni 284
Kur dy prona pushojnë së qëni në pronësinë e një personi,
servituti konsiderohet se ekziston në mënyrë aktive apo pasive në
dobi ose kundër secilës nga pronat e veçuara, përveç kur ka
marrëveshje të kundërt.
KREU IV
MENYRAT E USHTRIMIT TE SERVITUTEVE
Neni 285
E drejta e servitutit përfshin çdo gjë që është e nevojshme
për ta përdorur atë.
Neni 286
Pronari, pa pëlqimin e uzufruktarit, nuk mund të ngarkojë
pronën me servitute që cënojnë të drejtat e uzufruktarit.
Neni 287
Servituti mbi një pronë që u përket disa personave në
bashkëpronësi mund të krijohet vetëm me miratimin e gjithë
bashkëpronarëve. Servituti i krijuar nga vetëm një ose disa
bashkëpronarë, hyn në fuqi kur bashkëpronarët e tjerë bashkarisht
apo veçmas, kanë dhënë miratimin për krijimin e tij.
Neni 288
Personi që ka një të drejtë servituti, duhet ta përdorë atë
sipas titullit të tij ose të posedimit të tij. Kur ka dyshime rreth
shtrirjes dhe mënyrës së ushtrimit të tij, quhet se servituti është
krijuar në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e pronës
dominuese, duke rënduar sa më pak pronën shërbyese.
Neni 289
E drejta e servitutit duhet të ushtrohet në kohën dhe në
mënyrën që sjell më pak vështirësi e shqetësime për pronarin e
pronës shërbyese.
Neni 290
Kur prona në dobi të së cilës është krijuar një servitut
pjestohet, servituti do t'i shërbejë secilës pjesë, me kusht që
barra e pronës shërbyese të mos rëndohet.
Neni 291
Pronari nuk duhet që me veprimet ose mosveprimet e tij të
pakësojë përdorimin e servitutit ose ta bëjë atë më të vështirë.
Megjithë këtë, në qoftë se kanë ndryshuar kushtet dhe pronari
i pronës shërbyese rëndohet ose pengohet në ushtrimin e të drejtave
të pronësisë, mund t'i kërkojë pronarit, në dobi të të cilit është
vënë servituti, ndërrimin e vendit të servitutit.
Këtë të drejtë e ka edhe pronari i pronës tjetër, kur provohet
se ky ndërrim sjell dobi dhe nuk dëmton pronën shërbyese.
Mbrojtja e servitutit
Neni 292
Personi që ushtron një servitut, ka të drejtë të kërkojë
gjyqësisht nga kushdo që kundërshton këtë të drejtë, duke kërkuar
sipas rastit rivendosjen e plotë të saj, pushimin e cënimit që i
bëhet si edhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
KREU V
SHUARJA E SERVITUTEVE
Neni 293
Servitutet shuhen:
a) Kur në një person të vetëm bashkohet pronësia e pronës
mbizotëruese me atë të pronës shërbyese.
b) Kur nuk përdoret për më shumë se dhjetë vjet.
Afati i parashkrimit për servitutet jo vijuese fillon të ecë
nga dita kur servituti ka pushuar së përdoruri, ndërsa për
servitutet vijuese nga dita kur është kryer një vepër ose është
vërtetuar një fakt që pengon ushtrimin e servitutit. Për efekt të
shuarjes së servitutit, llogaritet edhe koha që ai është ushtruar
nga titullari i mëparshëm.
c) Kur sendet dëmtohen ose konsumohen deri në një shkallë sa
nuk mund të përdoren për qëllimin e tyre.
Rikthimi në një gjendje që mund të përdoren sjell si rrjedhim
edhe rivendosjen e servituteve, përveç kur kjo e drejtë është
parashkruar.
Neni 294
Kur prona mbizotëruese është në bashkëpronësi, përdorimi i
servitutit nga njëri prej bashkëpronarëve, ndërpret parashkrimin
edhe ndaj bashkëpronarëve të tjerë.
Neni 295
Pezullimi ose ndërprerja e parashkrimit në favor të njërit nga
bashkëpronarët, ka efekt edhe në favor të të tjerëve.
TITULLI VII
MBROJTJA E PRONESISE
Padia për kërkimin e sendit
Neni 296
Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e
tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo
bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t'u dorëzohet
gjithë bashkëpronarëve.
Të drejtat e poseduesit për të ardhurat
Neni 297
Poseduesit me mirëbesim i takojnë frutat natyrore të veçuara
dhe frutat civile të vjela që janë bërë të kërkueshme deri në ditën
që ka marrë dijeni se është posedues i paligjshëm, ose që i është
njoftuar padia e pronarit për kërkimin e sendit. Ai nuk detyrohet
të shpërblejë pronarin për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e
kthimit të sendit për çdo shkak tjetër, por pas kësaj dite ai
përgjigjet për frutat e vjela ose që duhet të kish vjelur, duke
vepruar me përkujdesje deri në kohën e kthimit të sendit, për
shpërblimin për përdorimin e sendit, si dhe për humbjen, dëmtimin
ose pamundësinë e kthimit për faj të tij.
Neni 298
Poseduesi me keqbesim për gjithë kohën e posedimit të tij,
detyrohet t'i kthejë pronarit bashkë me sendin edhe frutat natyrore
të veçuara e frutat civile të vjela ose që janë bërë të kërkueshme,
dhe të ardhurat e tjera që duhej të vilte, si dhe të
shpërblejëpronarin për përdorimin e sendit dhe për humbjen,
dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit qoftë dhe pa fajin e
tij.
Ai shkarkohet nga përgjegjësia kur provon se dëmi do të
shkaktohej edhe sikur të kishte dorëzuar sendin në kohën e duhur,
përveç kur ai është marrë me anë vepre penale.