Titulli: Homeri
Iliada (kënga I)
Kënga I
Këtu poeti i drejtohet muzës së poezisë, të këndojë mërinë e Akilit, të cilin e ka fyer Agamemnoni, duke i marrë me përdhunë skllaven Briseide.
Këndo, hyjneshë, mërin e Akil Pelidit
që shumë hidhërime e kobe akejve u solli…
Në vargjet mëposhtëm shohim grindjen midis dy prijësave;
Ia priti atij kryeprijsi Agamemnoni:
"më kot po rrekesh, o Akil hyjnori,
ndonëse dinak, të më mashtrosh me profka,
nuk ma hedh dot, dhe as që do me bindesh .
Sa mirë t'ka ënda të mbash plaçkën tënde,
por nuk ke gajle se mbes unë pa timen,
dhe me urdhëruake të heq dorë prej sajë.
Mirë pra, por danajt (2) zemërgjerë do m'japin
një tjetër vashë, pas qejfit do t'ma zgjedhin,
e asaj që kam të mos i lejë gjë mangut.
E po s'ma dhanë, do t'ia rrëmbej me dhunë
vashën Ajaksit ose Laertiadit,
ja madje tënden. Të pëlcasë nga inati
cilidoqoftë, kur në shtator t'i futem.
Mjaft kaq, për këtë tjetër herë do flasim.
Nga fjalët që akili i thotë më poshtë Agamemnonit, kuptohet qartë se lufta bëhet për plaçkë e grabitje:
Zymtë e shikoi Akil këmbëshpejti e i foli:
"o dhelpërak, me paturpësi i mbuluar,
po kush nga akejt është gati që t'u bindet
urdhërave të tu, e luan për ty nga vendi,
o rrëmben armët të luftojnë me burra?
Këtu s'kam ardhur të luftoj pse urreva
trimat trojanë, pse faj ata s'më kishin,
as kuaj, asgjë ata kurrë s'na grabitën,
e askurrë nga Ftia (3), me banorë e dendur
e tokë pjellore, drithë nuk na plaçkitën,
se ne me ta kemi ndërmjet shumë male
veshur me pyje e detin shungullues.
Por t'erdhëm pas, o faqezi pa cipë
për t'mirën tënde, që në vend të çonim
nderin e Atridit Menela ndër teukër,
gjithnjë për ty, o turiqen, por t'gjitha
këto ti i shkel dhe i përbuz me urrejtje,
dhe më kanosesh të më heqësh dore
frytin e djersës derdhur ndër beteja,
t'vetmin shërbim që më dhuruan akejt.
Sa herë që akej dërrmojnë qytete teukër (4),
unë kurrë nuk marr baras me ty fitime,
sido që barra e kësaj lufte t'egër
krahëve të mi më fort se askujt u bie.
E kur mes nesh ne bëjmë ndarjen e plaçkave,
ty të përket më e madhja e mua më e vogla,
po prapseprapë unë kthehem i kënaqur
tek anijet, i lodhur prej luftimit
Kënga II
Agamemnoni, para se të fillojë luftën kundër trojanëve, kërkon të njohë gjendjen shpirtërore të luftëtarëve:
Nëntë vjet të Zeusit (5) tani shkuan e vanë,
n'anije tona s'mbet dërrasë pa u kalbur,
litar pa u grirë, e ndërkaq nuset tona,
fëmijët e mitur, rrinë duke na pritur
në vatrat tona, e kurrë në krye s'po i dalim
synimit tonë që gjer këtu na solli.
Ngrehuni t'gjithë e fjalës sime bindjuni,
t'ikim me anije n'atdheun tonë të dashur,
trojën vigane kurrë nuk do ta mposhtim".
Si foli ashtu, të gjithë u prekën n'zemër,
parzmat u rrëqethën, kur dëgjuan vendimin:
u lëkund mbledhja si të largtat dallgë
në det t'ikarjes, kur Veriu e Juga
me retë e Zeusit çohen peshë furishëm.
si atëherë kur rrëmbimthi suferina
fryn mbi arnajat mbjellur me të lashta,
kallinjtë e artë me kokë përposh rrëzohen,
ashtu në mbledhje u lëkund moria,
me ulërima u turrën drejt anijeve,
e nën këmbë pluhuri u ngrit mbi log si reja.
N'anije u kapnë duke nxituar shokët e fill u vunë në det për t'i lëshuar
pastruan shtrezet, e përposh anijeve
hoqën mbështetëset; gjer në qiell ushtonte
vigma e atyre që n'atdhe po ktheheshin.
Në këto e sipër ndërhyn hyjnesha Hera, armike e betuar e janëve.
Dhe ajo ditë - kundër vendimit t'afatit-
do t'kishte ardhur për danjatë të ktheheshin,
sikur Athinës mos t'i fliste Hera;
"bijtë e pamposhtëm e Zeusit të stuhishëm,
qysh drejt shtëpive e trojeve të tyre,
ikin akejt për shpinë të detit t'gjerë?
Si po ia lemë Priamit e trojëve
lavdinë e Helenës, për hir të së cilës
larg mëmëdheut mijëra të rinj argejas
në fushë të Trojës jetën dhanë? Cfarë pret,
zbrit fill te danajt me parzmake çeliku,
me fjalë lutuese zbute gjithsecilin,
dhe asnjë barkë me kiç e bash sqepkrrufe
mos e lejo të rrahë shtigjet e detit"
foli, e sykaltra fjalën dysh s'ia bëri,
vetimë u dergj prej kreshtave t'Olimpit (6)
ia behu vrik te anijet e vrullshme akeje.
Në këmbë të shtangur Odiseun e gjeti,
atë burrë dinak e t'urtë si Zeusi i egër.
Për varkë të tij të murme me shumë rrema
s'kish gajle fare, por ia ngrinte zemrën
një brengë e rëndë, e pranë duke iu qasur,
atij i foli Athina sykaltra;
"laertid hyjnori, Odise dinaku,
kështu pa nder n'atdheun tuaj po ktheheni?
Qysh po ia lini Piramit dhe trojëve
lavdinë e Helenës, për hir të së cilës
në fushë të Trojës mijëra akej dhanë jetën
larg mëmëdheut, e tash të shkojnë gjakhupës?
Pra, ngrehu e rend mes turmave akeje
as mos ngurro, me fjalë mikluese zbuti,
ushtarët ndali, e mos i lër të hedhin
asnjë anije përmbi valë të detit".
Odiseu, me të dëgjuar këto fjalë, i sulmon luftëtarët me të shara e kërcënime, derisa i detyron të kthehen:
Kur shihte kënd nga turma e britur,
i vinte pas, me skepëter e godiste
rendte duke e sharë: - Mor torro, mshoji vendit,
dhe bindju verbtas urdhrave të të tjerëve
që ke mbi vete, o burracak i ndyrë,
që s'vlen për luftë as për këshill një pare.
Mos vallë secili kërkon mbret të bëhet?
Nuk venë mbarë punët me shumë sundimtarë;
sundues të jetë një, mbret një, veç ai, të cilit
skeptrin e ligjet ia dha Zeusi i mençur".
Një skenë me shumë interes është ajo e luftëtarit Tersit, i cili ngre zërin e proteston kundër prijësave grekë që kërkojnë të grabitin e të pasurohen me anë të luftës.
……………………………..
Ndenjur të gjithë ndër vende t'veta u ulën,
e veç Tersiti llafazan gërthiste:
"përse ankohesh, o Atrid (7), na thuaj,
më tjetër ç'do? A si ke plot shatorret
me tunxh e vasha si perri të bukura,
që ne, akejt, më parë për ty i zgjdhim,
sa herë pushtojmë kështjella dhe qytete?
A mos lakmon edhe më ar, e mbase
pret këtu ndonjë teukër kuajshalues
të sjellë shpërblesë nga Ilioni (8) për të birin
zënë rob nga unë o nga një ake tjetër.
Apo lakmon grua të re prapë ndoshta
t'bësh dashuri me të në ndonjë qoshe,
qysh nuk ke turp si mbret me qafë të marrësh
për qejfin tënd djemat akej? Ju , o danaj,
qenki të ulët, të panderë, jo burra,
por gra të liga; drejt shtëpive tona
ti kthejmë anijet dhe këtë ta lëmë vetëm
këtu në Trojë të gëzojë pre e plaçka,
e ta provojë nëse atij armët tona
i vlejnë a jo. Tani ky edhe Akilit,
që është më trim, i bëri dhunë të poshtër,
i rrëmbeu vashën dhe e mban për vete.
…………………….
Kështu e shau Tersiti Agamemnonin.
fill para i doli Odise hyjnori,
zymtë e shikoi dhe fjalë të rënda i foli:
"tersit, mbyll gojën, llafazan i prapët,
ti i vetmi dashke të vesh në lojë mbretër.
E kush se, ti nga gjithë akejt që Atridëve
u erdhën pas te muret e Ilionit,
ti më frikaci. Ndaj, o gojëlëshuar,
ndyrë duke sharë mos u bjer ndesh sunduesve,
e mos fut spica për t'u ktyer n'atdhe.
Iliada (kënga III - V)
Duke filluar nga Kënga III fillojnë luftimet. Trojanët, të udhehequr nga Hektori, sulmojnë akejt. Këtu tregohet luftimi ndërmjet Menelaut dhe Paridit, i cili mezi shpëton nga vdekja.
Në këngën IV bëhet një armëpushim, të cilin e prish aleati i trojanëve, Pandari që plagos me shigjetë Menelaun.
Në këngën V tregohen heroizmat e Diomedit, i cili plagos heroin trojan Enean, dhe vret shumë trojanë.
Në këngën VI grekët kanë epërsi në luftë. Me interes është skena ku tregohet motivi i rinjohjes, i përhapur në poezinë gojore të shumë popujve: heroi ake Diomedi e ndërpet dyluftimin me kudërshtarin e tij Glaukun, kur merr vesh se etërit e tyre paskëshin qenë të lidhur me miqësi. Midis episodeve të tjera, në këtë këngë happen disa nga faqet më të bukura të "Iliadës", si ajo ku tregohet skena e ndarjes së Hektorit nga e shoqja,
Andromaka, dhe i biri, Astianaksi.
Iliada (kënga VI)
Kënga VI
ثshtë nga këngët më të bukura për nga fryma dramatike që e përshkon, nga lirizmi në shprehjen e ndjenjave të dashurisë bashkoshortore dhe në përgjithësi nga atmosfera e krijuar me mjeshtëri në pasqyrimin e një lumturie plot frikë e dhembje.
Helena e ndjen veten të penduar për gjiçka të kobshme që po ndodh në Trojë. Cmon lart Hektorin për virtytet e tij, për kujdesin dhe dhembsurinë që ai tregon ndaj saj:
E me fjalë t'ëmbla iu suall Helena:
"Kunat i mirë i mua të poshtrës bushtër
dhe të urryer. Oh! Atë ditë që nëna
posa me lindi të më kishte flakur
nga prehri i saj, duhia e rreptë e erës
të më përplaste pas shkëmbinjve a dallgët
e detit shungulluese të më përpinin,
sesa të ndodhin gjithë këto mynxyra.
Por meqë zotat kanë punë të liga
kështu i shestuan, unë të kisha t'paktën
një burrë më trim e që në shpirt të ndiente
turp e mëri si burrat. Ky s'ka zemër
as shpirt kreshnik e as që do të ketë në t'ardhmen,
e shpejt besoj se ka për ti larë gjynahet.
Por ti kunat, urdhëro në këtë fron ulu,
se ty më fort po ta ndrydh shpirtin brenga
për sherrin e mua bushtrës, e për fajin
e Lek Paridit, se të dyve Zeusi
këtë fat të zi na e preu (9), e turpi ynë
do të këndohet në brezinë e ardhshme."
Ia priti i madhi Hektor tarogzëtundësi:
"Mos m'u lut t'ulem, moj Helenë fisnike,
nuk mund të rri dot, se po më digjet shpirti
me padurim t'u shkoj në ndihmë trojanve
shumë të brengosur për mungesën time.
Por tunde këtë (10), që të nxitojë dhe vetë
e të më zejë pa dalë jashtë prej qytetit,
unë po shkoj vrik deri në shtëpinë time,
me njerëzit t'piqem dhe me gruan e dashur,
e me voglushin, e nuk di a kthehem
ndër ta prapë gjallë,apo e shkrojtën zotat
nga duart e akejve shpejt të bie i vdekur".
kështu tha, e jashtë tarogzëtundësi doli,
e fluturim n'pallat të vet u ngjit.
Por nuk e gjeti Andromakë krahëbardhën,
së bashku me djalin e saj dhe mendeshën,
si drita e veshur në pirg kishte hipur,
ku duke qarë dhe rënkuar rrinte.
E kur Hektori shkretë shtëpinë e gjeti,
u ndal te pragu e pyeti shërbëtorët:
"O shërbëtorë, thomëni të drejtën,
ku do ketë shkuar Andromakë krahbardha,
që nga shtëpia paska dalë, tregomëni;
a mos ka vajtur ndër kunata t'hijshme,
apo n'faltore e Athinë Palladës (11),
atje ku zonjat Teukre kaçurrele
kërkojnë t'ia zbusin mërinë zonjës s'ndritur"?
…………………………………………….
Mbasi e ka kërkuar gjithandej, Hektori më në fund e gjen Andromakën, e cila
Lot duke derdhur iu qas burrit pranë,
për dore e kapi dhe i tha me emër:
"Gjithë ky guxim, o i shkretë, do të hajë kokën.
Si s'ke pak dhembje për tënd bir fërishte
e as për mua korbën, që pa ty së shpejti
do mbesë e ve, pse përmi ty mbarë danajt
do të vërsulen për ta shuar jetën.
Si t'rroj pa ty? Për mua më mirë do të ishte
t'hyj gjallë në dhè. Kur të vdesë ora jote,
asnjë shpresë jetën s'do ma ngrohë, veç brengat.
Babën s'e kam as zonjën nënë të ndritur,
të mjerin babë ma vrau Akil Hyjnori…
……………………………….
… Veç ti m'ke mbetur,
Hektor, veç ty të kam babë e nënë t'nderuar,
të kam vëlla e burrë në lule t'moshës,
prandaj, tani për mua që je gjithçka
rri këtu n'pirg, jetim mos e lër djalin
As mua të ve (12).
……………………………..
Ia priti i madhi Hektor tarogzëtundësi;
"Të rri këtu fort ma do zemra, o grua,
por mua turpi më zë nga trojanët
dhe gratë trojane hijerëndë të veshura,
ti dredhoj luftës e t'rri larg si i dobëti.
Jo, këtë gjë shpirti nuk ma do, pse u mësova
gjithnjë të jem kreshnik në krye të trojsve,
t'u prij në luftra për të mbrojtur babën
dhe lavdinë time. Pse mirë ma ndien zemra
do vijë një ditë Ilioni i shenjtë do shuhet
dhe Priami e kombi i tij në luftra i regjur.
Por unë nuk ndiej aq hidhërim për teukër,
as për Hekubën, as për mbret Priamin,
as për vëllezër, që burrërisht në pluhur
do bien të vrarë nga duart e gjakshme armik,
sa ndiej për ty kur një ake i ngjeshur
me parzmak tunxhi, ty me sy t'përlotur,
do të rrëmbejë mizori lirinë tënde.
Ndoshta në Arg (13) nën urdhra të një zonje
për të do bësh në avlimend pëlhurë,
do mbushësh ujë në gurrat e Meseidës
ja Hipërisë me detyrim, nga halli.
Kur ty t'përlotur një ditë do të shohin,
ndokush ka për të thënë: Je gruaja e Hektorit,
që ish kryetrimi i trojëve kuajshalues,
kur rreth Ilionit u bë lufta e gjakshme,
kështu dikur ka për të thënë ndokush;
ty më keq brengat do ta coptojne zemrën,
për t'ët shoq malli më fort do të shtohet,
pse robërinë veç ai ty do ta zbonte,
por mua më mirë nën dhè më mbuloftë mortja
se të ndiej klithmat e robërisë tënde…"
Si foli ashtu, Hektori lavdimadhi
duart i shtriu nga biri i vet, por foshnja
ktheu kokën prapa duke qarë e bërtitur,
e u kap për gjiri të mendeshë belhollës,
fatziu i trembur, duke parë të atin
veshur me tunxh dhe kreshtën krifëkali,
që i tundej tmerrshëm në majë të targozës,
buzëqeshi i ati e nëna e tij e ndritur.
Hektor kreshniku shpejt nga koka hoqi
kaskën vetuese dhe në tokë e uli,
dhe atëherë grykas loçkën e vet mori
e puthi ëmbël e ndër duar e tundi,
dhe iu lut Zeusit e hyjnive tjera;
"O ati Zeus, dhe zota tjerë, ju bëfshi
që edhe im bir të ndahet n'shenjë ndër teukër
si unë, e trim i fortë e i plotëfuqishëm
n'Ilion sundoftë, e kur nga lufta t'kthehet
ngarkuar me plaçka larë në gjak t'armikut
të thotë ndokush: "më trim se i ati doli!"
për të ngahera gëzoftë zemra e nënës",
si foli ashtu , në krahë të gruas së dashur
foshnjën e lëshoi: në gji plot erë të këndshme
e mori e ëma buzagaz mes lotëve,
sa kur e pa u ngashërye i shoqi,
ëmbël me dorë e përkëdheli e i foli:
"O e gjorë, për mua mos u pikëllo tepër,
se asnjeri kundër dëshireë s'fatit
s'më gremis mua në skëterrë, dhe askush,
si i dobti e i forti, nuk shpëton nga vdekja,
po e ka të shkruar që nga çasti i lindjes.
Por tani nisu në shtëpi dhe merru
me punët tua në pëlhurë e furkë,
dhe jepu e urdhër grave të shikojnë
punët e shtëpisë. Kurse punët e luftës
na i lini neve, burrave, që u lindëm
brenda n'Ilion, e mbi të gjithë mua të parit."
foli,e prej toke Hektor kreshniku mori
vetuesen kaskë me kreshtën krifëkali (14)
dhe e mira grua, u nis pa zë nga shpia,
e herë pas here e kthente kokën prapa
duke dënesë e derdhur lot si reja.
E fill arriti në pallat t'Hektorit,
dhe atje Brenda gjeti shërbëtoret,
menjëherë vajin ua coi peshë të gjithave,
dhe për së gjalli e vajtuan Hektorin,
pse nuk besonin t'kthehet prapë nga lufta,
t'u shpëtojë duarve dhe mërisë s'akejve.