Si për të ndjerë më shumë madhësinë e hapësirës së kësaj bote, që dikush na e cënoi deri në cakun e frymëmarrjes, në rastin më të parë pas marrjes së dokumentit 6 mujor, morra rrugën bashkë me Miran drejt Korçës. Desha të udhëtoja, të ndroja çdo çast format shfaqëse të natyrës magjepëse, larg çdo ligësie njerëzore që s’le gjë pa shëmtuar në këtë botë.
Pasditja e një të shtune, është e vetmja dëshmitare e heshtur e atij udhëtimi me të vërtetë erotik, që ndërsa koshiencës i la për detyrë vetëm përqëndrimin në timon, gjithshka tjetër ndjesore e la të lirë të ekzaltohej, mes një intimiteti prekjesh e ngacmimesh të paturpëshme seksuale.
Tek ngjiteshim kthesave të Pisoderit, mes asaj natyre parajsore e harlisëse, m’u duk për një çast sikur koha u kthye në dy krijesat e para njerëzore, Evan dhe Adamin. Dhe që molla e ndaluar mos na prishte vazhdimësinë e qejfit në atë parajsë pisoderiane, ktheva në të djathtë timonin dhe ndalova veturën, në një hapësirë të vogël mes pemëve. Me gjuhën e Evës dhe të Adamit, kryem në të njëjtën kohë hapjen e mbylljen e dyerve dhe u ndodhëm pranë njeri-tjetrit, në ndenjëset e mbrapme të veturës.
Në atë muzg të porsakrijuar, ku ende pemët nuk kishin marrë ngjyrën e natës, ndjeva forcën mistike të seksit femëror të më joshte në të panjohurat e tij. Ishte një ndjesi e zjarrtë që më përfshiu çdo pjesë të trupit, tek shikoja dhe prekja zbulimin e asaj bardhësie të lëmueshme trupore, që me ngjyrën enigmatike të muzgut, e bënte më të paturpëshme shfaqjen e plotë të saj.
Cdo gjë mund të kenë shijuar më pas Eva dhe Adami në kohën e tyre, por kursesi ama këtë kënaqësi zbuluese të lakuriqësisë trupore. Vetëm pas kësaj, çdo gjë ishte e ngjashme mes nesh, pa çka se ata rënkonin të ekzaltuar nga orgazma diku aty mes pemëve, kurse ne në ndenjësen e mbrapme të një veture.
Lamë pas e njëkohësisht morrëm me vete misterin çiftor, të ripërtërirë fuqishëm mes asaj natyre virgjërore mijravjeçare. Joshja e pashtershme e tij jo vetëm nuk u ndal në kthesën e fundit të ngjitjes, por s’na u nda dhe na ndoqi si e marrë, duke u strukur në shpirtin tonë vetëm atëhere kur ky shpirt cënohej e prekej nga të pashpirtët.
Kaq pranë njera-tjetrës qënkan, dreqi ta marrë, kontradiktat ndjesore në këtë jetë, sa porsa arrin të shijosh diçka të mirë të saj, të venë përballë ca shëmtira veprimesh të njerëzve, që të frenojnë çdo kënaqësi të jetuar pak më parë.
Fillon një dëng goditës në gjoks, porsa i afrohesh doganës greke e më pas asaj shqiptare. Uron që punonjësit të jenë në ditën e mirë të tyre, gjë e rrallë kjo, por që na ka dhënë shpresën e ndryshimeve për mirë. E ndërsa shpresa mbetet shpresë, realiteti vazhdon të shëmtohet sipas tekave e tendencave ofenduese të punonjësve, duke filluar nga ushtari apo polici më i thjeshtë e deri në ata që kanë në dorë firmën e vulën.
Ndonëse pret një masë e madhe njerëzish për marrjen e vulës dalëse, punonjësi grek nuk është në sportel, duke krijuar shtimin e rradhës dhe vonesën tonë kot së koti. Dëgjohet vetëm përsëritja papagallëshe e thirrjes, “Piso(Prapa)!!!”, nga një ushtar grek, që dhe kur rradha është në rregull, vazhdon avazin si për inerci. Mënyra e ecjes me një tundje e krekosje mburrëse, duke mbajtur duart në rripin e mesit të mbushur me lloj-lloj pajisjesh e mjetesh mbrojtëse ushtarake, përzjerë kjo dhe me një të folur arrogante, më krijonin një gjendje shpirtërore dëshpëruese e aspak frikësuese, ofenduese dhe qesharake njëkohësisht. Mbase për atë ushtar, ky ishte i vetmi rast për të ndjerë një lloj force dhe autoriteti, të munguar sigurisht në jetën civile.
Pas marrjes së vulës, na priste dogana e vendlindjes, me ca rregulla e veprime të çuditëshme, të veçanta sigurisht në llojin e vet. Një ngritje dore nga një person për të ndaluar në hyrje të saj dhe kërkimi prej tij i një pagese prej 250 lek, lloj takse kjo për veturat me targë greke. “Do më japësh ndonjë faturë pagese”?, e pyeta personin. Përgjigja e tij sigurisht që ishte standarte në këto raste, “S’ka problem. Po ta kërkuan, thuaj që ja dhashë lekët X-it”. Vetura duhej të kalonte në një vend pak të thellët për t’u dizifektuar rrotat, por pas pagesës, as që të imponohej ky veprim profilaktik.
Në një sportel të vogël morra fletën e hyrjes, ku m’u kërkua përsëri të paguaja diçka, pa u pasqyruar gjëkundi kjo pagesë. Në tjetër godinë u vunë vulat në pashaportë dhe me kaq procesi firmosës e vulosës kishte mbaruar. Morrëm frymë lirshëm, por kjo për pak minuta, se procesi kontrollues e zhvatës sapo kishte filluar në tokën e vendlindjes së dashur. I fundit i doganës shqiptare, që dhe sot e kësaj dite nuk di ç’detyrë konkrete ka, por me uniformën e policit ama, porsa pa afrimin e veturës me targë të huaj, bëri shenjë për ndalim. Ula xhamin dhe i zgjata tufën e dokumentave, por ai siç i morri m’i ktheu duke thënë, “Leri këto, ke ndonjë monedhë për mua?” Ja ktheva pa pyetur për ndonjë reagim keqdashës të tij, “Monedhat i kam për fëmijët e mij”. Pa ndrojtjen dhe përmbajtjen e vetvetes, që nëse s’ja kishte për zakon logjika, të paktën t’ja impononte ajo veshje e nderuar, vazhdoi si një debil muhabetin, “Edhe unë kam fëmijë”.
“Pse mua kështu m’i japin paratë? Aj natën e mirë!”, ja ktheva i nervozuar dhe menjëherë shtypa gazin e ika.
“E shikon ku ka arritur paturpësia? Këtu duhet të kesh një tufë me lek për të të lënë rehat. Polici i thënçin!” Flisja e murmurisja njëkohësisht, duke sharë e shfryrë i revoltuar. Ndonëse e shqetësuar, Mira tregohej më e përmbajtur dhe përpiqej të më qetësonte, për të mos pësuar më keq në vazhdim. “Aman, mos u nevrikos se s’fiton gjë. Na bëjnë ndonjë avaz dhe prit të kthehemi pastaj. Duro, të keqen Mira, deri nesër. Mos i mat njerëzit me logjikën tënde. Bëjmë ca të holla dhe në dreq të venë. Vetëm ti mos e prish gjakun”.
Se mos gjaku prishej vetëm nga kjo gjë. Duhet të kesh syze me rreze për të çarrë mes errësirës aq të ngjeshur, a thua ishte bashkuar dhe me errësirën e spostuar nga vendi i dritave që porsa lamë pas.
Diku në të dalë të Bilishtit, përsëri shenjë për ndalim nga një grup i qarkullimit rrugor, që me shfaqjen e papritur mes errësirës, më shkaktuan fantazinë e jashtëtokësorëve të zbritur aty gabimisht.
Pyetja e parë: “Nga jeni?”
Pas përgjigjes time, thënia tjetër paralajmëruese, “Këtu s’je në rrugët e Greqisë që ja sëllon kaq”. Ndjeva të më prekte dora e Miras dhe menjëherë u vu në veprim instikti mbrojtës. “Kam ca kuti me birrë prapa, apo më mirë blijeni vetë” dhe i zgjata një 200lekëshe, që u përfshi mes dorës së mbyllur të tij. Tha menjëherë, “Rrugë të mbarë!” dhe bëri shenjë përshëndetëse me dorë.
Edhe kur po i afroheshim Korçës, nuk po merrja vesh ç’po ndodhte me errësirën. Ndërsa kujtoja që me hyrjen në qytet do t’i shpëtoja ndjekjes së saj, ishim ne që po e ndiqnim atë në çdo bulevard dhe rrugicë, duke e larguar vetëm pak metra më tej me dritat e veturës. O kishim ardhur në çastin e ikjes së dritave, o ardhja e dritave mund të ishte një çast i humbur për ne.
Në mes të qytetit drita lëvizte sipas lëvizjes kaotike të makinave, që shfaqeshin aty ku s’e pandeh, jashtë çdo rregulli e logjike qarkullimi. I përqëndruar i tëri në timon dhe rrugë, mundohesha t’i shmangesha përplasjes me ndonjë makinë të shfaqur herë majtas, herë djathtas e herë përpara. I hapnim rrugë njeri-tjetrit ashtu spontanisht, siç veprojnë kalimtarët në trotuare.
Ndonëse me një kozmetikë të re në disa pjesë të trupit të tij, qyteti tim i dashur, ende stononte dhe më dëshpëronte me pamjen cfilitëse e të paharmonishme, të shkaktuar nga turbullirat e kohës.
Rrugicat korçare me kalldrëm, të vlerësuara dikur si një karakteristikë e veçantë e qytetit, ngjanin më tepër me një zbulim arkeologjik mijravjeçar. Mbi to, si për t’u dëshmuar modernizimi lëvizës i njerëzve, qarkullonin dhjetra vetura kryesisht të markës “Benc Mercedes”, që i rezistonin çdo grope e shtrembërimi të gurrëve.
Tradita korçare e fshirjes dhe larjes së rrugicave para çdo shtëpie, jo vetëm vazhdonte, por ishte bërë më e mundimshme për gratë, nga grumbullimi i dherave dhe plehrave nëpër gropa e kanale të pashtruara. Si për të mos ju prishur qejfin rrugicave, të njëjtin avaz me plasaritje dhe gropa vazhdonin asfaltet e bulevardeve. Arrihej në disa pjesë të qytetit, sidomos në të ashtuquajturën unazë të tij, ku unazës së gropave nuk mund t’i shpëtonte asnjë lloj zikzaku i timonit.
E megjithatë, jeta lëvizte me kapriçiozitetin e saj të bukur, pa pyetur për gjithshka penguese apo shëmtuese, që i shfaqej në këtë lëvizje triumfuese. Dëshira njerëzore për të shijuar modën, jo vetëm në raste sebepesh e vizitash, por edhe në jetën e përditshme, sfidonte stonimin që mundohej t’i bënte çdo vjetërsirë apo shëmtim mjedisi. Me një sforco e siklet në ecje, vështirësohej e deformohej shfaqja e delikatesës femërore, atyre rrugicave të gunguara nga gurët e të baltuara nga dherat e shirat e rënë. Ndonëse më çudiste e më mërziste ky kontrast, më pëlqente dhe më entusiazmonte ajo lloj shkëputje, apo më mirë të them, mospërshtatje e njerëzve, me anën e deformuar të tij.
Në qytetin korçar kontrasti ishte ulur këmbëkryq, duke e sjellë kohën e shkuar dhe të ardhëshme, në kohën e sotme, si në jetesën e njerëzve, ashtu dhe në urbanistikën dhe arkitekturën ndërtimore. Diku spontanisht e diku me mend në kokë, vazhdimi i këtij kontrasti, porsa të ngjallte për një çast kënaqësi estetike para shfaqjes së të bukurës, të befasonte papritur me ekzistencën e të shëmtuarës karshi saj.
Duke ecur i malluar drejt shtëpisë së mikut tim të ngushtë Vangjush Nikolicarit, çuditërisht nga mjedisi përreth u abstragua gjithshka e shëmtuar në përfytyrimin tim dhe u shfaq gjithshka e dashur dhe e harmonishme. Mes kësaj gjithshkaje të idealizuar nga shpirtra idealë djalosharësh, u lind dhe përballoi metamorfozën e saj rritëse e kohezionale, një miqësi fëmijësh, adoleshentësh, 20 vjeçarësh, 21, 22, 23,....30 vjeçarësh, 31,32, 33,...40 vjeçarësh, 41, 42, 43,....... 47 vjeçarësh e kështu do vazhdoja këtë arithmetikë në rritje, po të isha 80 apo 90 vjet. E ndërsa këta numura, pavarësisht nga dëshira tonë, ndryshojnë nga dita në ditë, asnjë gërmë emri e asnjë qelizë ndjesore miqësie, nuk mundi të cënohej sadopak, nga peripecitë e jetës të sejcilit prej nesh. Pavlloja(Papanikolla) i vogël dhe i madhi Pavllo, Vangjushi i vogël dhe i madhi Vangjush, Lila(Ilirian Islami) i vogël dhe Lila i madh, Tomi(Thoma Kreshpanji) i vogël dhe Tomi i madh, Golja(Ligoraq Bode) i vogël dhe Golja i madh, unë i vogël dhe unë i madh, jemi i vetmi fenomen i miqësisë njerëzore, të pandryshuar në kohën e hapësirën e kësaj bote djallëzore.
E ku s’na degdisi kjo djallëzi, në vitet më të bukura të jetës sonë! Degdisi ëndërrat dhe aftësitë, pasionet dhe talentet, vetë të ardhmen tonë.
Kur doli lista me emrat e maturantëve që do vazhdonin Universitetin, m’u venit gjysmëgëzimi tim që kisha fituar të drejtën, para mosdhënies sa kësaj të drejte, talentit në matematikë e me mesatare në pragun e dhjetës, mikut tim Pavllo.
Të pamëshirshmit e luftës së klasave, hipokritët e masave punonjëse, mediokrit e zyrave partiake e shtetërore, ndalën shpërthimin e një talenti, vranë shpirtin dhe pathosin për shkencën, të një të riu me perspektivë të suksesshme të padiskutuar, në dobi të shoqërisë e të vendit. I shkëlqyeri i shkencave të natyrës, u bë i shkëlqyeri i shkencës së gatimit, diku në një restorant në qendër të qytetit. Atëhere mbyllëm gojën, mos na deshifrohej dhe frymëmarrja për pakënaqësinë që ndjemë, sot e shpreh dufin dhe ulërij për padrejtësitë e asaj kohe, ndonëse e di që është më shumë se pas të vjelash. Megjithatë, le të jetë një kujtim-akuzë, tashmë në komoditetin e saj moral, ndaj atyre që eksperimentuan antiprogresin në emër të progresit, antinjerëzoren në emër të njerëzores.
Duhej ta kërkoja diku në ndonjë institut shkencor, apo në ndonjë katedër të Universitetit, apo në zyrat e ndonjë ministrie, kuzhinierin e preferuar Pavllo, po të mos kish ndodhur ama, ajo, degdisja e pamëshirshme. Rezonanca e saj jo vetëm që s’u shua me ndrimin e sistemit, por përkundrazi, si një masë kanceroze i shtriu metastazat e saj, në trupin ende të brishtë të demokracisë allashqiptare.
Të humburit e pamësuar për rreth gjysmë shekulli me humbjen, a mund të duronin e pranonin t’ju ikte nga dora, tapia e një pronësie kaq të vyer, me emrin Shqipëri?
Por edhe të fituarit e pamësuar me fitoren për afro gjysmë shekulli, a mund të shkëputeshin kollaj nga inercia e trajtimit e përdorimit të vendit, si një tapi e fituesve?
Tepër i zorshëm dhe i mundimshëm ky proces, për të mos thënë ende i pazgjidhshëm edhe sot e kësaj dite.
Ah more Pavllo, ç’më fute në këto kujtime e gjykime bashkë! Kaq larg të degdisur sa jemi nga njeri-tjetri, vetëm duke hyrë në botën e shkrimeve, mund të bëj çudinë e irealitetit të kësaj largësie mijrakilometrike. Po ç’rëndësi ka or mik distanca e kilometrave, para distancimit njerëzor të shoqërisë shqiptare, që ndonëse një çap më ndan prej saj, më duket më e largët se ajo Kanadaja “tënde”.
Nganjëherë dhimbjen ma shpreh shpirti në formën e vargjeve. Dhimbje e shkuar dhimbjes, është ky distancim i vajtueshëm, që më ka bërë të lotoj edhe nëpër vargjet e mëposhtme.
C’i lamë punët përgjysmë
C’na përgjysmoi arratia
Ku vanë miqtë e shumtë?
C’lëngojmë nga vetmia!
C’na iku buzëqeshja
C’u shtuan më shumë lotët
Më e plakur duket vetja
Të ardhmen syrgjynosëm!
Nga pamja e jashtme “farmacisti” Nikolicari merriton vargje, që do t’i shkonin një reviste të veçantë seksburrash të preferuar. Pak Alen Delon për mua në pjesën e syve, të harmonizuar me çdo tipar tjetër të fytyrës dhe ca thinja në anët e ballit, edhe kaq mjaftojnë për t’i dhënë pamjen e një burri fisnik e xhentëlmen. Por fisnikëria e Vangjushit nuk ka patur e nuk ka aq nevojë për këtë fat tiparesh simpatike. Mjafton pak kontakt me të, për të ndjerë dëshirën e kthimit në shumicë të këtyre pak-ëve, deri në një preferencë miku. Eshtë fat të zesh një mik në çdo moshë të jetës, por unë bëj pjesë në ata të paktë fatmëdhenj, të përfshirë në metamorfozën e miqësisë me Vangjushin, që në moshën dhjetë vjeçare. E qysh atëhere ai vazhdon të jetë i pari ndër të parët, jo vetëm në kujtesën time fëminore e rinore, por edhe në realitetin e sotëm jetësor.
Dhjetaxhi më të “pangopur”, zor se gjendet në arshivën e shkollës 8 vjeçare dhe asaj të mesme. Por ky revan i rezultateve të larta nuk do ndalej as në Universitet dhe s’do kish të mbaruar edhe sot e kësaj dite, po të mos kishtë ndodhur ai, distancimi i vajtueshëm. Kur flas për rezultate të larta, kam parasysh kontributin e padiskutueshëm të tij në veprimtarinë profesionale. Ndonëse kriteret tendencioze për shkollën e lartë, e devijuan nga degë studimi ku do ndjehej e vepronte më shumë aftësia dhe zgjuarsia e tij, dëshmoi se ishte në gjendje të përballonte me sukses çdo sfidë të kohës, kudo ku ju imponua të punonte.
Mos është vallë ligjësi e politikave partiake, distancimi i njerëzve të vërtetë në njerzillëkun dhe profesionin e tyre?
Apo mos është ligjësi e ecjes në jetë të këtyre njerëzve, që pëlqejnë gjithë hapësirën e rrugës dhe jo ingranimin vetëm në të djathë, vetëm në të majtë, apo vetëm në qendër të saj? A mundet të politizohet shkenca, kur edhe në veprimet më të thjeshta matematikore janë në të njëjtën ekuacion zgjidhës, minusi, plusi dhe zeroja bashkë?
Një specialist u kërkua në prefekturë dhe kriteret e vëna, jo vetëm i plotësonte, por edhe i tejkalonte Vangjushi. Përballë tij ishte një tjetër, që ndërsa kritereve ju afroheshe në minimumin e tyre, ja tejkalonte Vangjushit në kriterin e pashkruar të ingranimit në një kah të politikës. E kështu, që mos e zgjas më shumë, miku im, i pakriteruar në këtë drejtim, u distancua edhe nga ato kritere, që s’kishin asnjë pikë lidhjeje me ndonjë formulë apo ekuacion partiak.
Ishte duke mbushur një faturë me ilaçe, kur në një ngritje të syve mbi syzet më pa dhe duke i thënë një “Më fal” klientit, doli nga banaku dhe u përqafuam.
“Mbaro punë”, i thashë, “se kam ca kohë në dispozicion”.
Veç ta dëgjoje si i thoshte emrat e ilaçeve dhe si i merrte tak-fak nga raftet, a thua kishe të bëje me një farmacist të dipllomuar. Lere pastaj për çka shikoje në atë dhomë të kthyer në një pikë shpërndarëse të ilaçeve për farmacitë e qytetit. Që ka qënë merakli i rregullimit dhe paraqitjes me estetikë të vetes dhe të sendeve përdoruese, këtë e dija qysh në fëmininë tonë, por që do mbetej kaq i pacënuar në këtë merakllëk, e vërtetonte jo vetëm veshja spic e tij, por gjithshka që shikoja aty brenda.
Pas ikjes së klientit shkuam në një kafene, ku nga e nisnim se mbaronim një muhabet, kaq shumë kishim për të thënë e dëgjuar për njeri-tjetrin. Ndonëse familjarë e afër gjysmëshekulli moshe, nuk hiqnim dorë nga meraklia mashkullore për seksin femër, që e mbetur dikur vetëm ëndrave e fantazive, vazhdonte pathosin e saj të zjarrtë mes çiftit bashkëshortor.
Kujtimeve nuk mund t’ju shpëtonte dhe miku tonë Lila.
Vazhdonte të punonte në firmë ndërtimore si drejtues punimesh, por paranë dinte ta shtonte edhe si topograf kur i dilte rasti.
Në kujtesën fëminore Lila më ka mbetur si burri me pantallona të shkurtëra. I qetë në të folur, por edhe bindës në mendimet e dhëna, larg papagallitetit në të mësuar e jo lakmitar për nota, të bënte ta dëgjoje kurdoherë me respekt e simpati. Gati gjysma e rrugës gjatë piknikeve, nuk ndjehej nga rrëfimet e tij interesante, të marra nga romanet e shumta që lexonte. Lilën e distancoi nga Universiteti kriteri absurd i mesatares të atij viti, që u caktua mbi nëntë pik treshin e arritur prej tij. Se kur i tekej kupolës partiake, nxirrte tjetër kriter, që çonte në bangot e shkollës së lartë nxënës me mesatare më poshtë nëntës. Mos hy pastaj më thellë, në fuskosjen e mesatares për pinjollët e dobët të kuadrove partiakë e shtetërorë. Pak pinjollë të tillë i gjen sot djathtas e majtas në politikë, duke katandisur si mos më keq ekonominë e vendit e duke na bërë rezilë para botës me dobësinë e tyre?
Ja ku i erdhi radha edhe Goles, kitaristit të shoqërisë sonë, që me zërin e tij melodioz dhe tingujt e kitarës, shpesh mbulonte stonimet e ndonjerit prej nesh në këngë, në të famshmet piknike Moraviane dhe Bozdoveciane. Ishin të vetmet hapësira të lira, ku veç këngëve karakteristike korçare, ja merrnim me aq kënaqësi këngëve të famshme greke të dashurisë.
Golja na trajtonte me një konsideratë që i kalonte përmasat e të zakonshmes në një shoqëri miqsh. Ai ishte një vit më poshtë se ne në shkollë, por siç duket koha i kishte dhënë të drejtën të pretendonte një vend të denjë mes nesh, ashtu sikurse ne na dha unanimitetin e pranimit të tij me kënaqësi.
Dua të sqaroj që ai kishte një merak dhe vullnet gati të sforcuar në kohën e pushimeve verore, për të shfletuar dhe studjuar tekstet shkollore të porsapërfunduara prej nesh.
Për të Vangjushi ishte shëmbulli i nxënësit sistematik dhe metodist, që e lehtësonte në parapregatitjen e lëndëve mësimore për vitin pasardhës. Sa për lëndën e matematikës, ai s’i ndahej Pavllos dhe në kohë rekord arrinte t’i kishte të zgjidhura në fletore gjithë problemet e saj. Kur më vinte rradha mua për lëndët shoqërore, mundohesha me gjithë forcën e logjikës dhe të kujtesës, t’ja lehtësoja mënyrën përvetësuese të thelbit të problemeve, duke e zhveshur atë nga llafollogjitë e shumta e të mundimshme. Golen e mërziste dhe e shqetësonte nota 9, më shumë se nota mbetëse 4 nxënësin e dobët. Me dhjetat e rradhitura njera pas tjetrës në deftesat e 12 viteve shkollore, ai meritoi vazhdimin e Universitetit në Tiranë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Golja dha energji mendore në gjithë kohën studimore, më shumë nga ç’duhej dhe i kërkohej. Në çdo hap të tij, kudo e kurdoherë, ai ndjente përgjegjësinë e vetvetes dhe kjo e bënte më të ndjeshëm e të prekshëm, ndaj çdo lloj e mase ngacmimi. Në kohën e sotme, ku përgjegjësia e ndjeshmëria shoqërore i humb apo i merr nëpër këmbë virtutet njerëzore, ndodhi vetdistancimi i mikut tim prej saj, duke kaluar në një vetveprim privat familjar, që as e pasuron, as e le të varfër.
Stonimet e ndonjerit prej nesh në këngë, mund t’i mbuloje lezetshëm, i dashuri miku im Gole, me tingujt e kitarës, por stonimet e çjerrjet e koreve njerëzore partiake të çakërdisura, nuk mund t’i mbulojnë, apo zbutin sadopak, gjithë orkestrat muzikore të kësaj bote.
As pesëdhjet metra nuk e ndajnë shtëpinë e Vangjushit nga ajo e Tomit, gjë që e bën më të privilegjuar miqësinë mes tyre. Si i thonë fjalës, që të dy na e merrnin ne të tjerëve në vjetërsi, por kjo vetëm si statistikë shifrash, se kur ndodhi mrekullia e krijimit të shoqërisë sonë, të gjithë ishim për njeri-tjetrin më të barabartë e të preferueshëm, se vetë barazia e preferenca. Mesatarja e larmishmërisë dhe kënaqësisë, e humorit dhe argëtimit të shoqërisë sonë, ja kalonte mesatares së notave, por, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, zor të arrihej kjo gjë pa prezencën e Tomit. Shpirti praktik i tij ishte një favor, apo më mirë të them, një privilegj për ne, që shpesh na rrëmbente qëndrimi shkollaresk i tepruar, ndofta dhe në një lojë futbolli, apo shëtitje bulevardeve të qytetit.
Si nuk lindi ndonjëherë, qoftë dhe kontradikta më e vogël, midis disave prej nesh që lakmonim mesatare të lartë notash dhe qëndrimit modest e jo kaq pretendues të mikut tim, Tomi. Dhe kjo, sepse shoqëria jonë e bekuar, si në kohën fëminore, rinore e më tej, ka vepruar si një ekip i kompletuar, ku sejcili ishte në pozicionin e vet të pazëvendësueshëm. Dikush në sulm, dikush në mesfushë e dikush në mbrojtje, ishim në gjendje të fitonim jo vetëm ndaj vetvetes, në ndonjë të metë të saj, por edhe ndaj kujtdo tjetër në djallëzinë e tij, që na cënonte si ekip apo individë.
Tomi ishte i pari nga shoqëria tonë, që vetdistancimin e tij nga jetesa e mundimshme në mjedisin shqiptar e vulosi në kufirin grek. Dhe po për herë të parë ndjeu lëkundje, ajo, mesatarja e famshme e humorit dhe argëtimit. Mos po vihej vallë në rrezik, vetë ekzistenca e shoqërisë, në çastet kur po ndodhte degdisja tonë qindra e mijra kilometra larg njeri-tjetrit? Mbase një bote të djallëzuar i shkon për shtat fenomeni i shpërbërjes të shoqërisë njerëzore, por një shoqërie të konsoliduar, në çfardo përmase qoftë, zor t’i ndodhë një infektim i tillë fatalist e tjetërsues. Kështu ndodhi dhe me ne, që mundëm dhe ditëm të mbijetojmë, në përmasat e reja të ndryshuara të hapësirës e kohës.
Në këto përmasa, shpesh të papritura e te çuditshme, mes lëvizjesh të vetëdijshme e të pavetëdijshme të njerëzve, veç kombinimeve të pafavorshme, ndodhin ca kombinime të favorshme, që e zbutin dhimbjen njerëzore.
Apo jo, miku im Vangjush? Se, meqë erdhi fjala, vërtet u arshivua në kujtesën tënde fqinjësia me Tomin, aty në Korçë, por ama, po brenda kuadrit shoqëror e vazhdoj unë me të, këtu në Selanik. Vërtet u ndërpre një vjetërsi fqinjësie, por kursesi një vjetërsi shoqërie.
Pas përqafimit me Vangjushin, si për inerci të kujtimeve të së shkuarës, më ndodhi një mikrohistori e përzjerë me nostalgji dhe humor bashkë.
Pak rëndësi kanë hollësirat e takimit me Piro Cetën, lidhja me të cilin në punë e sipër, u vazhdua dhe pas ndërprejres së saj. Më tha të vinim të merrnim të shoqen, Djanën, në një zyrë në ish Shtëpinë e Oficerave. Kur u ndodhëm para derës, ai më shtyu pak dhe unë pa kontrolluar veten, u gjenda brenda në një formë gati qesharake, para pesë femrave të ulura rreth një tavoline. Hodha një shikim të shpejtë tek to dhe po me atë shpejtësi veproi edhe kujtesa, që më nxorri nga ajo gjendje e sikletshme e hutuese.
Thashë emrin e njerës, që i kishte rruajtur gati të paprekshme tiparet e kohës gjimnazore, duke e shoqëruar me komplimentin e dëshirueshëm të çdo femre, “Nuk paske ndryshuar fare!”
S’kish ndryshuar ajo për mua, por ama kisha ndryshuar unë për të. Të drejtë kishte, kur para saj u shfaq një Mondi, që tullacësinë e kokës e mbulonte me një kapelë sportive. Por “maskimi” tim e bënte më të pamundur njohjen, me mbajtjen e mustaqeve dhe të një cope mjekre gjysmë të thinjura. Për të dalë nga ajo situatë gjysmënjohjeje, hyra lirshëm në botën time të shakasë, por, në vend të një qeshjeje të gëzueshme, ajo na shkaktoi nostalgji për vitet e shkuara e të ikura kaq shpejt. Megjithatë unë, si për inat ndaj moskthimit të asaj moshe sa naive aq dhe të bukur, vazhdova në timen. “S’ka si të më njohësh mua, kur syrin e kishe në shoku tim. Po të ishte ai këtu, do ta kishe njohur menjëherë”. Të plasi një e qeshur dhe një ngacmim, që e bëri atë të skuqej. “Nuk ofendohem, jo, se dhe unë në tjetër e kisha syrin nga shoqëria tuaj”. Ajde ç’gjullurdi që u krijua me të hedhur e të pritur ndaj njera-tjetrës, për të zbuluar të preferuarën time. E ndërsa enigma e famshme nuk po zgjidhej, pasi asnjera sçmund të shprehte e para simpatinë e dikurshme për mua, u dëgjua një e trokitur në derë dhe kur ajo u hap, hyri një tjetër e njohur, që porsa më pa thirri, “Uaa, Mondi!” dhe menjëherë më dha dorën dhe u përqafuam. Ishte tamam çasti i zbulimit të “enigmës”, që aq lezetshëm më erdhi në mendje për ta thënë. “Ja, kjo ka qënë “dashnorja” time e dikurshme! E morrët vesh tani?” Qeshëm me gjithë shpirt dhe po në brendësi të shpirtit ishim kthyer në ato vite ëndërrash e fantazish rinore, që krijonin “prona” imagjinare dashnoresh. Dhe kjo ndodhte me një padjallëzi, që e tejkalonte cakun e moshës së padjallëzuar dhe me një guxim të arritur deri në cakun e një dashurie platonike.
Gjithshka realizohej gjatë shëtitjeve tona gati të përnatëshme, në gjatësinë e bulevardit nga sheshi para theatrit “A. Z Cajupi” deri në Parku Rinia e që në dimër kufizohej deri në restorant Valbona.
Shikimi tonë mund të emërohet me të drejtë Shikim Diagonal, pasi në pjesën më të madhe të shëtitjes përqëndrohej në rrymën e kundërt të njerëzve, kryesisht të femrave. Sado seriozë e të brumosur me moralin komunist, nuk mund t’i shpëtonim dot asaj force magjike që rrezatonte seksi femër. Ndërsa në realitetin shoqëror na ndalte forca e një morali frenues, në mikrobotën tonë rinore krijohej një irealitet i këndshëm lidhjesh e reagimesh, që na bënte robër të instikteve dhe fantazive erotike.
Ato ishin një grup shoqesh tepër simpatike, që sa herë shfaqeshin para nesh, na tërhiqnin jo vetëm për nga pamja, por edhe nga mënyra e fshehtë vështruese, që s’i shpëtonte dot syrit tonë. Falë kësaj gjuhe mistike, që mbase ka ekzistuar para asaj të folur, na përfshinte një ndjesi e këndshme ngacmuese, sipas shijeve e simpative të sejcilit prej nesh. Pikërisht në një çast të tillë ndjesor, ndodhi veçimi i atyre vajzave sipas preferencave tona.
Unë: ”Më pëlqen ajo me ato leshrat e shkurtra. Shikoni ç’sy që ka. Ja vlen, hë?”
Njëri nga shokët: ”Si s’ja vlen. Po ajo e gjata, shiko ç’trup që ka. S’besoj se është e zënë”.
Unë: “E kam vënë re që dhe ajo të pëlqen, se në ty i hedh më shumë sytë. Sa për e zënë, as mos e shko në mend, se s’do dilte gjithnjë bashkë me shoqet”.
Kalonin ditë dhe kur ndodheshim përsëri bashkë në shëtitje, ndodhnin të thënat më të lezetshme midis nesh.
Tomi mua: “Dje pashë në Mapoja atë tënden”.
Unë: “Me kë ishte?”
Tomi: “Me atë të Vangjushit”.
Timja, e Tomit, e Vangjushit, e Palos, e Lilas dhe Goles, ishin ato vajza reale që kishin zaptuar botën imagjinare e naive të ndjesive erotike djaloshare. Ndjesi që çelej në çdo shëtitje e kontakt pamor dhe kulmohej kur arrihej, qoftë dhe një përshëndetje apo buzëqeshje femërore ndaj nesh.
Kur mbarova së zbuluari në atë zyrë, të vërtetat e asaj kohe ndrojtjesh e përmbajtjesh të tejmasshme, ndjeva sa keqardhje, aq dhe lehtësi, sa dhimbje e nostalgji, aq dhe kënaqësi e krenari.
U rrëfeva unë dhe shkaktova të njëjtin rrëfim të atyre femrave dhe m’u duk sikur atë çast, na u fal mëkati i mosbërjes së “mëkatit”.
* * *