Në “Wembley Arena” të Londrës u zhvillua një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së Robin Haxhi Krasniqit, sfida për titullin Botëror WBO për peshën gjysmë të rëndë ndaj Nathan Cleverley, e cila fatkeqësisht për boksierin kuqezi rezultoi një disfatë. Gjithsesi në sfidën me 12 raunde, Krasniqi rezistoi mjaft mirë dhe pavarësisht nisjes së furishme të rivalit uellsian i cili dominoi deri në raundin e 6, boksieri kosovar reagoi duke e vënë në vështirësi në 3 raundet pasardhëse Cleverleyn por në fund gjyqtarët i dhanë me unanimitet me pike fitoren kampionit në fuqi.
Vlerësimi i gjyqtarëve 120-108, 119-109, 120-108 tregon që uellsiani ishte më kërkues dhe dominues duke ruajtur kështu gjerdanin WBO ndërsa Krasniqi i cili u mbështet nga qindra shqiptarë në Londër u largua me kokën lart sepse luftoi deri në momentin e fundit ndaj një kampioni që deri tani ka 26 fitore, asnjë barazim dhe asnjë humbje. Jo keq për sfidën e parë të rëndësishme për Haxhi Krasniqin, i cili është vetëm 26 vjec dhe deri tani ka humbur 3 ndeshje(përfshirë sfidën me Cleverley) dhe në të ardhmen nuk do ta pengojë asgjë të luftojë për titullin e madh botëror.
/S.Sport