Banorët e qytezës kishin filluar ta thërrisnin mes tyre Xixa.
Kjo për shkak se çizmet e oficerit të ri shkëlqenin edhe kur ai kthehej në këmbë nga kodrat plot baltë të stërvitjes. Nuk ishte nga ato anë dhe askush nuk e dinte nga kishte ardhur.
E urrente profesionin e tij dhe mbajtja e çizmeve të pastra “xixë” i dukej si një hakmarrje e vogël ndaj artit ushtarak popullor dhe kolegëve të tij çizmepërbaltur.
I shkurtër, i imtë, flokë pak të rëna, hunda e spikatur, ecje solemne ushtarake, edhe kur ishte i veshur civil.
Mbante gjithnjë një tufë çelsash në dorën e djathtë, të cilën e tundtte fort sa herë që pranë tij shfaqej ndonjë pushtetar i diktaturës apo spiun, si për të lajmëruar gjindjen atypari që tavolinat e kafeneve i shihte si të vetmet vende ku mund të flisnin kundër qeverisë dhe të ankoheshin për varfërinë dhe hallet e jetës.
Edhe pse dishepull i etikës dhe respektit formal, nuk i pëlqente të përzihej me njerëzit dhe në plazh shkonte gjithnjë i vetëm.
“Pse nuk e merr edhe gruan në plazh?”, e kish pyetur njëra nga fqinjet. “Gratë shkojnë në plazh që të nxijnë lëkurën, dhe gruaja ime atë gjë që duhet ta ketë të nxirë, e ka, dhe kaq më mjafton.”
Dikur ishte ndarë edhe nga gruaja. Për shkaqe higjienike: Menstruacionet.
Lexonte shumë dhe kishte njohuri të mahnitshme për botën dhe njerëzimin. Erudit. I lirë në ide dhe i pavarur në mendime.
Ndërrimi i sistemit politik e kishte gjetur përsëri nën uniformën që ai e urrente, por nga ana tjetër, nuk e braktiste dot, sepse, si ç’më pati thënë, nuk mund ta pranonte statusin e dezertorit.
Dhe prerja e artë një ditë ishte gjetur. Gjatë një inspektimi që ministri i mbrojtjes dhe disa oficerë madhorë amerikanë bënë në repartin ku ai drejtonte, Xixa i kishte përshëndetur me dorën lart “Heil. Hitler!”. Kjo gjë natyrisht e kishte lënë pa mend ministrin dhe miqtë e tij të përtej oqeanit, por gjithsesi, për ta shpëtuar nga burgu, e kishin shpallur mendërisht të paaftë dhe e kishin nxjerrë urgjent në lirim.
Në restorant ulej gjithnjë vetëm dhe bashkë me ushqimin porosiste edhe tri gota ujë, në të cilat shplante lugën pas çdo kafshate ushqim. E fshinte me kartopecetë dhe e fuste përsëri në pjatën e pilafit. Ky ritual vazhdonte në çdo ngrënie. Kur kamerieri mblidhte tavolinën e tij gjente aty dhjetra kartopeceta të bëra shuk dhe tri gotat e famshme me ujin e ndotur nga pastrimi i lugës.
Nuk prekte asgjë me dorë. Vetëm me doreza. Nuk përdorte ujin as për t’u larë. “Uji është gjëja më antihigjienike në botë”, thoshte. Pastrohej me letra të lagura me antiseptikë. Njëzet vitet e fundit të jetës nuk pinte ujë. Deri sa një ditë vdekja i erdhi nga dehidrimi. Një vdekje e llahtarshme. Autopsia tregoi që laringu dhe ezofagu i tij ishin mbushur me luspa si lëkurë krokodili.
Muajt e nxehtë të verës shfaqej në qytet i veshur me nje kokore ruse që i mbulonte edhe veshët, në duar doreza të bardha leshi rudë dhe pjesën që i mbetej zbuluar nga kokorja, e zinin një palë syze të stërmëdha të errëta. Njerëzit e shihnin me tallje, neveri dhe përçmim figurën e tij groteske dhe komike, në ndonjë rast e shanin me fjalët më të ndyra, ndërsa ai kthehej nga unë dhe më thoshte:
“Ah, varfanjakët e shkretë! Ah ta dish sa shumë i urrej, miku im. Jam mizantrop par excellence! Nëse do kisha mundësi do t’i vrisja të gjithë banorët e kësaj qyteze të mjerë. E di pse e mbaj këtë kokore, miku im? Që t’i mbroj ata dritëshkurtërit nga mendimet e mia. E di pse i mbaj këto doreza të trasha leshi në mes të verës? Për t’i mbrojtur ata nga prekja ime! E di pse i vë këto syze të zeza? Jo për t’u mbrojtur nga dielli, por për të mbrojtur ata nga vështrimi im i tmerrshëm. Të siguroj se ata do vdisnin në vënd nëse do përballeshin me vështrimin tim.”
Edhe ata pak të njohur që kishte i ishin larguar nga krupa që u ngjallte veshja dhe sjellja e tij. Vitet e fundit të jetës filloi të frekuentonte llotot e shumta të qytezës së varfër, e kështu, u njohëm e u bëmë pothuajse miq.
Fitonte nga llotot shumë para, të cilat i mbante në shtëpi, në një qese plastike. Ishte kampioni absolut i llotos. Truri i tij analitik nuk kishte se si të mos shkëlqente edhe në këtë zeje të vonë të jetës së tij.
Në një ambient llotoje i erdhi fundi edhe miqësisë sonë. Isha nevrikosur për një skedinë të humbur e ai po qeshte me të madhe, e para herë që e shihja të qeshte, një e qeshur e frikshme dhe e llahtarshme. E kisha shtyrë tërë inat e ai ishte rrëzuar përdhe duke më thënë: “Edhe ti si të tjerët, miku im?”. “Po dreqi ta hajë, nuk ta kisha borxh atë skërmitje cinike, tani e besoj që t’i vërtet i urren njerëzit!”, ia kisha kthyer unë.
Që atë ditë nuk e pashë më. As rrugëve e as llotove.
Në varrimin e tij filloi një shi i tmerrshëm dhe procesioni u zvogëlua aq shumë, saqë, kur arritëm te varri i hapur, kishim mbetur veç dy njerëz, pronari i minimarketit të vetëm të qytetit dhe unë.
Pasi ia bëmë edhe nderimet e fundit Xixës, u ulëm për një kafe. Unë dhe pronari i minimarketit i njohur si bamirës babaxhan dhe zemërgjerë. Natyrisht folëm për Xixën dhe kujtuam shumë gjëra nga ai.
‘Po ku dreqin i çonte tërë ato para që fitonte në lloto, ë? E kam vrarë shpesh mendjen, duke parë atë jetë modeste prej spartani që bënte…”, fola unë.
“Do të dish vërtet se ku i çonte ato para?”, më pyeti ai. “Mirë, do të ta them, por veç me një kusht. As varrit nuk do ia tregosh! I kisha premtuar që kurrë nuk do e nxirrja të fshehtën e tij.
Ai donte që mos e dinte askush! Xixa vinte në dyqanin tim sa herë që fitimet e tij arrinin në një milion lekë. Kjo histori filloi nja 3 vjet më parë e deri sa vdiq. Më kërkonte listën e borxheve që klientët e varfër më kishin mua dhe ua paguante ato pa dijeninë e tyre. Dhe pasi bënte pagesën më kërkonte që ata kurrë të mos e mësonin emrin e bamirësit dhe t’i fshija emrat e tyre nga lista në atë çast. Dhe vinte prapë herës tjetër me një milionshin e radhës…”
Mbeta pa fjalë, fyti m’u tha dhe ndjeva luspat e krokodilit në grykë.
U kujtova që edhe unë i kisha mbetur ca para borxh dhe nxorra portofolin.
“Prit, mos ik, të kam edhe unë një borxh nga lista…”
“Mos u shqetëso… Edhe atë e pagoi Xixa. Ishte pagesa e fundit e tij. Madje, mbaj mend që nuk i mjaftuan paratë e mbetura nga të qeses dhe vuri edhe diçka nga xhepi i vet…””.