▌VNSHD▐
BSNT
“Mori qeset me stërlina ari të Pashiçit, pastaj ndihmat italiane që kaluan në llogaritë e tij personale, Konti Çiano donte ta vriste”
Një kolanë e ribotuar shpesh në Itali janë vëllimet e “Storia d’Italia” të ndara në shumë seksione dhe kapituj. Një pjesë shumë interesante për lexuesin shqiptar është pushtimi italian i Shqipërisë, përfshirë periudhën e monarkisë.
Në faqet 204-215 të Volumit 8, Kapitulli XII, botim i “Rizzoli Editore”, Milano, 1982 gjejmë një shkrim të gazetarit të njohur italian Indro Montanelli (1909-2001) mbi ish-monarkun shqiptar, Ahmet Zogun.
Si e shihte dhe çfarë informacionesh kishte Montanelli mbi Zogun dhe prejardhjen e tij e të parëve të tij, rrugën që ndoqi për të bërë karrierë, marrëdhëniet me italianët, fqinjët dhe popullin e vet, dhe në fund fare, qëndrimi dhe lëvizjet në ditët dhe orët e fundit para se të niste pushtimi.
Më poshtë, shkrimi botuar nga DITA:
Nga Indro Montanelli
Kundërshtari që Musolini sajoi për t’iu mbivendosur suksesit që po kishte Hitleri, ishte në fakt një krijesë e tij, i ashtuajturi mbreti Zog i Shqipërisë. Ai i përkiste klanit Mati dhe emri i tij i vërtetë ishte Ahmet Zogolli.
Zogollët, pas pushtimit turk, ishin ndër të parët që u konvertuan në fenë islame; duke zgjedhur pushtetin e tyre lokal mbi shtetin siguruan mbrojtjen e osmanëve që gradualisht qeverisën vendin në emër të Sulltanit.
Ata ishin barinj malesh që zotëronin dele, kullota dhe një grup vrasësish, të cilët i përdornin për të mbajtur sundimin e tyre të vogël feudal dhe për të kontrolluar sipas rastit, rrjedhën e gjakmarrjeve pa mbarim që kishin njëri me tjetrin.
Nuk rezulton se ndonjë prej Zogollëve kishte patur dëshirën për të shtrirë ndikimin e tij përtej atij kantoni të papërfillshëm, të banuar nga disa mijëra burra, pothuajse të gjithë analfabetë, të lidhur me mjaft fanatizëm me autonominë e tyre, të cilën turqit ua njohën.
Zakonisht ata lindnin, jetonin dhe vdisnin atje, midis deleve dhe minareve, duke bërë gjueti, duke bërë intriga dhe duke administruar një drejtësi arkaike nën pemën e fikut. Ahmeti ishte ndoshta i pari i familjes që e zgjeroi horizontin e ambicieve.
Lindur në vitin 1895, ai studioi në Akademinë Ushtarake në Kostandinopojë, por kur Shqipëria kaloi, pas luftërave ballkanike, nën sundimin e Vjenës, ai u transferua në ushtrinë austriake – mjeti që përdorte Perandoria Habsburge për të formuar elementë të ndryshëm nga vendet prej të cilave ishte përbërë – dhe atje ai u bë kolonel.
Por u shkarkua në fund të Luftës së Parë Botërore dhe mbeti pa gradë, pa para dhe pa flamur. U kthye në Mat, ku nuk u mësua me vegjetimin si paraardhësit e tij.
Regjimi demokratik që kishin vendosur në Shqipëri traktatet e paqes ishte sigurisht një mashtrim, por lejonte këdo që të bënte përpara. Ahmetit i mjaftoi emri për t’u bërë deputet i rrethit të tij dhe për të hyrë kështu në lojën e pushtetit.
Ambicia e tij u potencua mirë nga trashëgimia dinake e Zogollëve; spikati për agresivitet dhe mungesë totale të skrupujve. Para të tridhjetave ishte Ministër i Brendshëm, një pozicion të cilin e përdori për të shumëfishuar miqtë dhe për të hequr qafe armiqtë. Menjëherë më pas u instalua në krye të qeverisë, por kur në zgjedhjet e ardhshme, u mund nga liberali Fan Noli, nuk pranoi t’ia lëshonte atij vendin dhe u përpoq të vendoste diktaturën.
Nuk pati sukses për shkak të mungesës së mbështetjes brenda dhe jashtë vendit, dhe i detyruar të shpëtonte kokën, u largua për në Beograd. Tashmë, kishte mësuar se askush nuk mund të sundonte në Shqipëri përveçse si prokonsull i një fuqie të huaj.
Në mesin e atyre që pretendonin për dominim ishin Italia, Greqia dhe Jugosllavia. Ai mendoi se kjo e fundit ishte më e besueshme, por jugosllavët nuk kishin besim ndaj hezituan shumë për ta bërë “ushtarin” e tyre.
Kur më në fund vendosën, Nikola Pashiç – njohës i mirë i njerëzve – duke vënë mbi tryezë një numër qesesh plot stërlina floriri dhe duke i shtyrë drejt tij, e pyeti: “Dhe tani Zog, sa kohë do të duhet për të marrë para edhe nga italianët dhe të kalosh në anën e tyre?”
Dhe ndodhi ekzaktësisht ashtu. Por ndoshta Zogu nuk e bëri atë që kishte parashikuar Pashiç vetëm për pará. Si tutorë, italianët kishin më shumë pikë se jugosllavët në avantazh: Së pari, nuk kishin vazhdimësi territoriale me Shqipërinë, gjë që i jepte më shumë pavarësi kësaj të fundit, pastaj ishin më në gjendje të ndihmonin nga ana ekonomike dhe në fund, pas ardhjes në pushtet të Musolinit, dhanë dëshmi të një aktivizimi diplomatik shumë më agresiv dhe të vendosur.
Megjithatë, pasi kishte përvetësuar qeset e Pashiçit, Zogu përvetësoi dhe ato të Musolinit, të cilit pak i interesonte kjo; ai donte vetëm ta përdorte si imazh të suksesit të tij, dhe nga ky këndvështrim nuk doli i gabuar. Me “ushqim” të dyfishtë, Zogu e rimori shpejt pushtetin dhe u kurorëzua dhe President i Republikës, por kjo nuk i mjaftoi. Tri vjet më vonë, ai e shpalli veten Mbret dhe Musolini ia aprovoi në shkëmbim të një “deklaratë besnikërie të përjetshme ndaj Italisë”, që e premtuar nga një njeri si Zogu, vlente aq sa vlente.
Musolini u tregua naiv dhe kjo u pa menjëherë. Pasi mori kurorën, Zogu e pandehu veten seriozisht mbret, duke marrë qëndrime publike “pro pavarësisë” dhe duke nisur të tregojë shpesh arrogancë. Në një moment provokoi krizë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në vitin 1934, refuzoi të rinovonte traktatet tregtare me Italinë duke nënshkruar një me Jugosllavinë.
Ndihmat e mëdha italiane përfunduan në llogaritë private të Zogut dhe disa të preferuarve të tij, ndërkohë ai vazhdonte të akuzonte Romën për politika ndërhyrëse dhe paternaliste, madje kjo politikë, sipas tij, ishte e qëllimshme që të fyente ndjenjat e tij mbretërore.
Mungesën e traditës së një dinastie reale, ai u përpoq ta kompensonte me gjeste krenarie kombëtare dhe shkëlqimin e një oborri operetash. I fshehtë dhe dyshues, Zogu e konceptonte politikën si një intrigë pallati, në të cilën, gjithsesi ishte mjeshtër. Rrallë shfaqej në publik, kërkonte nga të gjithë, madje edhe nga diplomatët italianë, duke filluar nga kreu i misionit, ministri Jakomoni, të respektonin një ceremonial të përpiktë kur e takonin, fliste pak dhe nuk hapej me askënd.
Ndikim mbi të kishte deri diku familja, në veçanti ndonjë prej motrave, që prej tij kishin marrë gradën e gjeneraleve dhe të veshura me uniformë, luanin luftash në pallatin “mbretëror”. Ato ishin anti-italiane edhe kishin frikë se Roma do t’i jepte mbretit një grua italiane që do t’i shpronësonte.
Në të vërtetë, ky ishte një projekt që Roma e kishte; dikush kishte sugjeruar të “sakrifikonin” për Zogun një princeshë të linjës së gjakut mbretëror të Savojës, por nuk ishte gjetur ndonjë aq e gatshme. Më pas ishin kthyer tek një baroneshë e cila, megjithëse italiane, kishte prejardhje të drejtpërdrejtë prej linjës së shqiptarit më me prestigj në histori, Skënderbeut, por Zogu me krenari e refuzoi atë dhe ripohoi “pavarësinë” e vet, dëshironte të bënte “një zgjedhje të tijën”.
E bëri mbi një fotografi ku ishte një vajzë hungareze, që ia kishte propozuar një nga njerëzit e tij. Zogu e ftoi në Tiranë: Ajo ishte Geraldine Apponyi, trashëgimtare e një familje të madhe hungareze të rënë nga vakti; nuk kishte asgjë përveç emrit dhe një fytyre të ëmbël, e njëjtë edhe në karakter.
Dasma u bë një tjetër burim fërkimesh, këtë herë më të thellë me Italinë. Jo vetëm për shkak se Zogu kishte refuzuar një nuse italiane, por edhe për kundërshtitë e vrazhda që iu bënë, veçanërisht nga motrat gjenerale, dy përfaqësuesve italianë, të cilët ishin Konti Çiano për qeverinë dhe Duka i Bergamos, i Shtëpisë së Savojës.
Ishte mëse e kuptueshme që kriza tashmë do shpërthente dhe ka shumë mundësi që acarimi i Cianos, t’i ketë dhënë një shtysë përshpejtimit të asaj që ndodhi më pas. Zogu, në mungesë të një ideje, ose për shkak të krenarisë, nuk bëri asgjë për ta parandaluar. Ndoshta ai mendonte se Italia nuk mund të bënte asgjë dhe sigurisht, këtë bindje ia mbështesnin fort edhe të motrat.
Geraldina nuk mund t’i ofronte asnjë ndihmë, qoftë edhe me anë të këshillimit. Shumë e re në moshë (ajo ishte njëzet vjet më e re se ai) dhe pa përvojë, ajo e gjeti veten krejtësisht të papërgatitur për të luajtur rolin e vështirë të Mbretëreshës. Për më shumë, ajo ngeli menjëherë shtatzënë dhe burri i saj, edhe pse dukej shumë i dashuruar me të, në këtë pikë mbeti një mysliman; nuk mund t’i jepte rëndësi, sidomos faqe familjes dhe vartësve, fjalëve të gruas.
Gjithsesi, goditja gjermane në Çekosllovaki i dha Ciano-s mundësinë që po priste për të zbatuar planin e aneksimit të Shqipërisë, plan që “vlonte” prej kohësh. Musolini kishte marrë në dorë raporte që e tregonin Shqipërinë si një vend “të pasur, të pasur me të vërtetë” dhe parashikonin një ndërhyrje të mundshme gjermane në atë zonë; e kur ajo të ndodhte, duhej të mbikëqyrej nga italianët.
Në përshkrimet e Cianos, shkruhej ndër të tjera: “Ky popull me kushtet e mjerimit në të cilat jeton, të sjell ndërmend fshatrat e largëta kineze përgjatë Jang-Ce. 120,000,000 lirat e mjerueshme, të cilat përbëjnë buxhetin e shtetit, shpërdorohen për blerjen e diamanteve, rrobave dhe makinave që motrat e Mbretit i reklamojnë me pamaturi të dukshme”.
Në maj të vitit ’38, Ciano arriti të bindte Duçen, të jepte aprovimin e një përgatitjeje të përgjithshme për të aneksuar Shqipërinë. Madje, delfini i Duçes, i cili shpesh tregohej jashtëzakonisht i nxituar në zgjedhjen e taktikave, planifikoi edhe vrasjen e Zogut. Më 27 tetor të vitit 1938, ai vinte në dukje në ditarin e tij:
“Operacioni fillon me vrasjen e Mbretit (do jetë detyrë e këshilltarit Koçi kundrejt një tarife prej dhjetë milionësh), do ketë lëvizje përgjatë sheshit, do udhëzohen grupet besnike ndaj nesh (pothuajse të gjithë komandantët, përveç atyre të KMIA); nga Tirana do t’i drejtohen lutje Italisë për ndërhyrje politike dhe ushtarake, nëse është e nevojshme. Pastaj do kryhet aneksimi. Jakomoni siguron se çdo gjë mund të bëhet në bazë të rregullave, me një muaj paralajmërim, një manovrim i tipit ‘Anschluss’ me pak fjalë, si aneksimi i Sudeteve”.
Rënia e Stojadinoviçit, një mik i madh i Cianos, në Jugosllavi, e komplikoi situatën. “Duart e lira”, nuk mund të vepronin si më parë dhe Zogu e dinte mirë këtë, ndaj ideja e vrasjes se Mbretit u venit. Kështu që Musolini e bazoi aprovimin e aneksimit, në përputhje me rrjedhën e ngjarjeve në rend ndërkombëtar”.
×××
Në foton kryesore: Ahmet Zogu dhe Konti Ciano
Gazeta Dita