▌VNSHD▐
BSNT
25 prilli 2021 do të jetë beteja finale e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për asgjesimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, partinë me karakter familjar të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, si një mutacion politik i tranzicionit në Shqipëri, simbol i KÇK-së, korrupsionit dhe i pazareve.Lulzim Basha mbyll pazaret parazgjedhore me aleatët Duka, Shehi dhe Ndoka, largon partinë e Ilir Metës dhe Fatmir Mediun, 25 prilli beteja finale e Ramës dhe Bashës për asgjesimin e LSI
Ashtu siç edhe “Pamfleti” ka paralajmëruar përmes disa shkrimeve radhazi, asnjë parti politike në Shqipëri nuk do të pranojë të bëjë koalicion me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin në zgjedhjet 25 prillit 2021.
Ky vendim është produkt i një pakti mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që në maj të 2017, për të hequr qafet LSI-në si një parti që ngjitet herë pas PD dhe herë pas PS, gjoja në emër të stabilitetit.
Ditët e fundit, Lulzim Basha ka mbyllur pazaret me aleatët e tij Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka, duke ndarë zonat e influencës dhe duke u garantuar nga një vend të sigurtë në lista, për t’i bërë pjesë të Parlamentit të ardhshëm.
Bie në sy fakti se Lulzim Basha ka larguar nga koalicioni Monika Kryemadhin dhe Fatmir Mediun. Për disa javë me radhë, Ilir Meta e shantazhoi Bashën dhe e akuzoi si tradhtar.
“Këtu ka një mungesë korrektësie, unë kam marrë fjalën nga Basha se do të hynin në zgjedhje. Pastaj, ata mbajtën qëndrimin e tyre herë kështu e herë ashtu”, ka pohuar Meta për Bashën. Pavarësisht presionit, Basha nuk pranoi të fuste emrat e Metës në listat e Partisë Demokratike.
Vetëm pas këtij vendimi, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili deklaruan hapur se LSI do kandidojë e vetme në zgjedhje. Petrit Vasili tha një ditë më parë se “Kodi Zgjedhor është i qartë dhe shterues. Në të gjitha qarqet do të ketë dy lista, atë të LSI dhe PD. Mënyra sesi këto lista akomodohen me aleatë të ndryshëm është një çështje që patjetër shikohet dhe adresohet. LSI nuk ka dorëzuar kurrë lista në orën 12 të natës”.
Vasili dhe Monika po përpiqen ta paraqesin refuzimin e Bashës si një strategji opozitare në të mirë të PD-LSI, por Ilir Meta është në prag të shpërthimi ndaj Bashës.
Ndërsa Fatmir Mediu hodhi një hap edhe më të papritur, kur nxitoi duke prezantuar 36 kandidatët për deputetë në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit. Duke i dhënë një mesazh Bashës, Mediu tha se “E djathta duhet të bashkohet, por jo për të shërbyer si aneks apo qoshe rehatie për këdo politikan apo parti politike. E djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. E djathta e ka të domosdoshme të ndërtojë në radhë të dytë një koalicion vlerash, ku idetë tona krijojnë shpresë dhe besim. Nuk është e mjaftueshme që të tregojmë vetëm se sa i keq është Edi Rama”.
Me këto lëvizje politike mbetet e hapur mundësia për një koalicion qeverisës Rama-Basha pas 25 prillit 2021. Tezat që qarkullojnë në korridoret e politikës janë të ndryshme. Sipas një varianti, Rama do bëhet president, ndërsa Basha kryeministër. Sipas një varianti tjetër, Rama do bëhet kryeministër deri në 2023 dhe më pas Basha. Nuk përjashtohet as mundësia e një mandati të plotë nga Rama, ku në këmbim do të dorëzojë në SPAK ministrat e korruptuar./Pamfleti