Masteri, programet e studimit zgjasin për një periudhë 1-vjeçare dhe realizohen me 60 kredite
Këtë vit të ri akademik, Universiteti i Vlorës pritet të çelë 11 programe të reja studimi. Sipas rektoratit të Universitetit të Vlorës janë hartuar programet përkatëse dhe është aplikuar për miratimin e tyre në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Në këtë universitet kanë nisur për herë të parë programet e studimit master të nivelit të parë në mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, si dhe për degët gjuhë angleze dhe italiane në Fakultetin e Edukimit. Me përfundimin e tyre, studentët përfitojnë diplomë "Master të nivelit të parë (MNP) në mësuesi" për ciklin e lartë të arsimit bazë. Programet e studimit zgjasin për një periudhë 1-vjeçare dhe realizohen me 60 kredite. Paralelisht po bëhen përpjekje për çeljen e programeve të studimit në nivel doktorature në inxhinieri navale e mekanikë.
Mes programeve të reja që synohet të çelen në vitin e ri akademik, përfshihen diplomë e integruar në inxhinieri elektrike dhe financë, diploma të nivelit të parë në fizikë, kimi, biologji, shkencat kompjuterike, arkeologji, histori, turizëm kulturor.
Shtimi i degëve të reja është pjesë e strategjisë së stafit drejtues në Universitetin e Vlorës, që synon transformimin e tij në një institucion arsimor bashkëkohor dhe u shtohen atyre të miratuar prej më shumë se një vit, ku përfshihet dhe doktoratura në matematikë. Në universitetin "Ismail Qemali" në qytetin e Vlorës studiojnë aktualisht rreth 15000 të rinj e të reja, që përfitojnë 21 diploma, ndërkohë që funksionon dhe Shkolla Pasuniversitare. Qëllimi i çeljes së 11 degëve të reja do të shtojë numrin e të diplomuarve, por njëkohësish do të përmirësojë edhe tregun e punës me specialistë të mirë të fushave të ndryshme, në përputhje me standardet e kërkuara nga sistemi publik dhe ai privat.
*shqip*