*ena*
*Yll Bote*
Figura dhe vepra e Skënderbeut ishin në qendër të një tryeze të rrumbullakët, të organizuar në Moskë me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar. Në këtë veprimtari të organizuar nga ambasada në Moskë me pjesëmarrjen e punonjësve shkencorë të Institutit dhe të Universitetit shtetëror të Moskës “Lomonosov”, merrnin pjesë anëtarë të shoqatës së miqësisë “Rusi – Shqipëri”, shqiptarë me banim në Moskë, dashamirës të Shqipërisë, punonjës nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë,etj. Veprimtaria për Skënderbeun u çel me prezantimin dhe diskutimin e portretit të Skënderbeut, të punuar posaçërisht për këtë jubile nga piktori rus, Danill Dirov. Punimet e “Tavolinës së rrumbullakët” i hapi drejtori i institutit, doktori i shkencave historike, Konstantin Nikiforov, i cili në mënyrë të përmbledhur bëri një vlerësim të veprës së Skënderbeut. Ndër të tjera, ai vuri në dukje rëndësinë e luftës antiosmane të popullit shqiptar, nën udhëheqjen e Skënderbeut për çlirimin edhe të popujve të tjerë ballkanikë. Ambasadori Avni Xhelili mbajti referatin me temë: “Lufta çlirimtare e Popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe rëndësia historike e veprës tij”. Nga punonjës të Institutit dhe të Universitetit “Lomonosov” u mbajtën edhe 5 referate shkencore. Në referatin e vet, doktori i shkencave, Grigori Arsh solli fakte dhe materiale deri më sot të panjohura, të gjetura në arkivat ruse të shek. 16 dhe 17, ndërsa doktorja e shkencave, Julia Ivanova trajtoi çështjen e transformimit të identitetit nga lokal (fisnor),në etnik dhe së fundi, në identitet kombëtar që u arrit në periudhën e Skënderbeut. Autorët e tjerë e vunë theksin në krijimin e një fronti të përbashkët për çlirimin e vendit nga pushtuesit osmanë dhe në formimin e individualitetit kombëtar të tyre. Referimet u shoqëruan edhe me diskutime nga të pranishmit. Aktiviteti përfundoi me koktejin e organizuar nga ambasada në mjediset e Institutit të Studimeve Sllave të Akademisë së Shkencave të Rusisë.