1. Agustini
Për Agustinin shteti është njëkohësisht një instrument rendi dhe kaosi. Ai nuk besonte se ky ambiguitet mund të tejkalohej apo transcendentohej.
Për të shteti në origjinë dhe esencë ishte, "një dënim për mëkatin fillestarë dhe një ndreqje e pjesshme e efekteve të këqija të mëkatit" (a proenia et remedium peccati). Përse ky këndvështrim i kufizuar dhe moralisht i dyshimtë për rendin politik? Për Agustinin njeriu nuk është thelbësisht një qenie racionale. Sigurisht, arsyeja është një prej dhuntive tona të veçanta, por ajo, pohonte Agustini, nuk është në vetvete parimi udhëheqës i jetës individuale. Përkundrazi, qeniet njerëzore janë në radhë të parë qenie epsharake, qenie me vullnet, thënë më thjesht krijesa të drejtuara nga dashuria (dilectio).
Për Agustinin, arsyeja nuk ka mundësi ta transcendentoj dashurinë e veçantë që ego ka për interesin e vet. Përkundrazi, arsyeja i projekton këto interesa vetjake si të ishin pohime "universale". Ego njerëzore nuk bëhet më pak e njëanshme përmes arsyes duke qenë se arsyeja e paraqet njëanshmërinë e saj si një meritë universale. Ai është vullnet dhe e dashuron atë sundim. Për njeriun e rënë (fallen humanity), shumica e njerëzimit, Agustini pohon se dashuria e cila mbizotëron nuk mund të jetë asgjë tjetër vetëm se një 'dashuri e çrregullt' (dilectio inordinata) e cila kërkon ta ngrejë egon e tij në dëm të gjithë gjërave të tjera.
Ajo që kërkon të ngrejë ego është ajo që dashuron njeriu, d.m.th. ajo që përcakton personalitetin e tyre dhe e bën aktivitetin e tyre koherent, ndonëse koherenca e përftuar është fryt i dashurisë së keqvendosur. Ngjashëm, një bashkësi njerëzore, qoftë një fis, komb apo perandori, bëhet e kuptueshme në çastin kur kuptojmë se ç'lloj dashurie i bashkon ato. Agustini e shihte Perandorinë Romake si një shembull të formave të përgjithshme apo llojeve të shetit. Të kuptosh Romën, pohonte Agustini, do të thotë të kuptosh "dashurinë e Romës për madhështi" (libido dominandum-in e tyre). Ishte kjo "dashuri për të sunduar" që e mbante Romën të bashkruar dhe i pajiste ato me një lloj jete të përbashkët.
Në politikën e brendshme, dashuria e Romës për madhështi kishte sjellë një paqe shoqërore relativisht të mirë. Ajo kishte vënë në rend, në një shkallë të admirueshme, dashuritë më të vogla, paratë, familjen, seksin etj. Ajo ishte një lloj paqeje shtëpiake, paqja e triumfuesve mbi të ngadhënyerit, e çimentuar nga zilia e humbësve ndaj fitimtarëve, bashkangjitur kjo me dëshirën për të qenë si padronët e tyre dhe jo si vetja.
Por kjo paqe e brendshme ishte arrirë vetëm duke paguar një çmim të tmerrshëm, çmimin e anarkisë ndërkombëtare. Kërkimi i Romës për madhështi kishte siguruar një renditje të luftërave të dashurive më të vogla, duke sjellë si pasojë rend relativisht të mirë të detyrave dhe sakrificave të jetës së përditshme. Por, kjo ishte arrirë vetëm duke prodhuar një sistem ndërkombëtar i karakterizuar nga paqendrueshmëria e përhershme. E vetmja paqe e arritur ndërmjet kombeve, pohonte Agustini, është ajo që quhet "paqja e varrezave" dhe ndodh atëherë kur për një kohë të shkurtër fitimtarët drejtojnë të rrethuar nga një lloj heshtjeje.
Mbi të gjitha, marrëdhënieve ndërmjet kombeve i mungon ajo dukshmëri paqjeje të cilën e sigurojnë autoriteti dhe hierarkia në rrafsh kombëtarë. Ndërmjet shteteve nuk ka asnjë marrëveshje në lidhje stilin e jetesës, asnjë arbitër i përbashkët që të operojë përtej sistemit të tyre të admirimit, e për rrjedhojë nuk gjendet asnjë marrëveshje në lidhje me ato që duhen admiruar dhe konsideruar si autoritativ. Hanibali dhe اezari janë lider respektiv të bashkësive të tyre dhe bashkëndajnë admirimin popullit, por nuk ka parim më të lartë se to që mund të bënte të mundur bashkimin. Për këtë arsye lufta mbetet e vetmja gjykatë apeli e tyre.
Madje, akoma më keq, edhe ndërmjet atyre që ndajnë të njëjtin religjion, siç treguan edhe ngjarjet ndërmjet Krishterimit të Romës dhe atij të Afrikës së Veriut, nuk është e lehtë të gjendet një qasje e cila do të garantojë paqen e përbashkët ndërkombëtare. Pra, as religjioni nuk transdententon dot në mënyrë automatike dashurinë e njeriut për veten. Fatkeqësisht, religjioni shpesh shndërrohet në një shprehje dhe shërbëtor të kësaj dashurie. As arsyeja e natyrshme as feja e natyrshme nuk mund ta shpëtoj njeriun nga mëkati- kjo është e ngjashme me atë që Hobes-i e ka quajtur "lufta e të gjithëve kundër të gjithëve".
Agustini e fillon librin e tij të famshëm "Qyteti i Zotit" duke reflektuar mbi këto "rrëpira të mëdha ku perandoritë ngrihen dhe bien", ku "fituesit e sotëm shndërrohen në humbësit e të nesërmes", "dhe ku në fund të vdekurit bëjnë vend për ata që vdesin". Tek Agustini hasim një pesimizëm të madh. Ai na paraqet një panoramë të zymtë të limiteve tona dhe pritshmërive morale që duhet të kemi për sa i përket jetës ndërkombëtare.
E gjithë kjo mbështetet në këndvështrimin e Agustinit për sa i përket natyrës njerëzore. Ego, për Agustinin, është një qenie e ndërmjetme. Ajo qëndron ndërmjet plotësisë së qenies që është Zoti dhe gjërave më të ulta që përfaqësojnë botën materiale. E drejtuar nga dashuria e saj, kërkimi i saj për lumturi, ego e gjen kënaqësinë në ato gjëra që janë në thelb të përkohshme, në botën e fundme materiale. Egoja, e cila transcendenton menjëhershmërinë e saj me botën, dhe e cila nuk mund ta bashkojë dhe shterojë veten me atë që ka realitet më të pakët se ajo, d.m.th. me të mirat materiale sado të mira qofshin, kërkon pareshtur të kërkoj të mira për veten e saj duke përmbushur më së pari kënaqësitë që të ofrojnë të mirat materiale e më pas të tjerat. E drejtuar nga pangopshmëria e saj për të kërkuar kuptime, ego gjurmon politeizmin praktik, duke krijuar zota në mes të shumë zotave të tjerë, siç është përshëmbull madhështia, e cila në vetvete është e fundme. Egoja në këtë mënyrë është ose e ndryshme në mënyrë të pashpresë ose e mbyllur para kohe.
Kjo mungesë e integritetit të brendshëm mund të sillet në rend dhe qetësi vetëm kur ajo bashkohet me dashurinë për Zotin. "Zemrat tona janë të shqetësuara", pohonte Agustini, "derisa ato të gjejnë qetësinë tek Ai".
Historia, pra, është e përbërë nga historia e dy dashurive dhe nga dy qytete që janë formuar si pasojë tyre, njëri që "dashuron veten duke mospërfillur Zotin" dhe tjetri i cili "dashuron Zotin duke mospërfillur veten". I pari është qyteti tokësor, i dyti është qyteti i Zotit, ose ndryshe Kisha, ajo tokësorja por sidomos bashkësia qiellore e shenjtorëve. ثshtë e vërtetë që qyteti qiellor duhet ta "bëjë paqen e tij mbi paqen e kësaj bote, por Shën Agustini nuk shpresonte se mund të nxirrej ndonjë gjë e madhe nga një përpjekje e tillë. Historia e shteteve kombëtare, rënia dhe ngritja e tyre, për Agustinin mbeteshin thellësisht një sfond absurditeti në lidhje me të vetmin pasazh kohor kuptimplotë që është pelegrinazhi i shpirtit të humbur i cili gjen rrugën e tij për në shtëpin e qiellit.
Këto janë fjalët e Agustinit dhe pikëllimi i tij për natyrën njerëzore. "Përkujtoni lumenjtë e Babilonisë", pohonte ai. " اfarë janë lumenjtë e Babilonisë"? Ato janë gjithçka që ne kemi dashur në këtë jetë e që nuk është më. P.sh., një njeri dëshiron të praktikoj bujqësin, të pasurohet prej saj, ta zë mendjen e tij në këtë sektor, të fitoj kënaqësi prej saj. Le ta shohë dhe ta dijë ai se ajo që ka dashuruar nuk janë themelet e Jeruzalemit, por lumenjtë e Babilonisë. Një tjetër thotë, është një nder i madh të jesh ushtar; të gjithë bujqit i frikësohen ushtarëve, i binden atyre, dridhen prej tyre. Nëse unë do të bëhem bujk do ti druhem ushtarëve, por nëse bëhen ushtar bujqit do të më druhen mua. I marrë, ti ke hedhur veten nxtimithi në lumenjtë e Babilonisë dhe këtë e ke bërë në mënyrë akoma më të vrullshme dhe të turbullt. Në vend që të dëshirosh të të frikësohen të tjerët, frikësoju Atij që është më i madh se ty. Ai i cili i frikësohet Atij mund që në mënyrë të menjëhershme të bëhet më i madh se ty, Ai të cilit ti duhet ti firkësoshesh nuk mund të bëhet asnjëherë më i ulët.
"Të jesh jurisht, thotë dikush tjetër, ëshë një gjë e madhe; elokuenca është gjëja më fuqishme; të kesh gjithnjë klientë të cilët varen nga gjuha elokuente e kërkuesve të klientëve dhe nga fjalët e tij të kërkojnë fitimin ose humbjen, jetën ose vdekjen, shkatërrimin apo sigurinë". I gjori ti, as nuk e ke idenë se ku je hedhur edhe ky është një lum i Babilonisë, gjëmimi i tij është zhurma e ujit që përplaset në shkëmbinj. Kujdes se ai rrjedh, rreshket ëmbël e merr gjithçka me vete.
"Të lundrosh detet dhe të bësh tregti, thotë dikush tjetër, është një gjë e madhe, të njohësh shumë toka, të mbledhësh pasuri nga çdo anë e botës, të mos jesh i detyruar nga asnjë autoritet kombëtarë, të jesh gjithnjë në udhëtim, të ushqesh mendjen me shumëllojshmërinë e kombeve dhe takimet e biznesit dhe të kthehesh i pasur nga grumbullimet e udhëtimit. Edhe ky është një lumë i Babilonisë, kur do të përfundojë mbledhja e pasurisë? Sa më i pasur të jesh aq më frikë do të kesh. Kur anija të të mbytet dhe dobësimi do të heq gjithçka, me të drejtë qaje fatin tënd te lumenjtë e Babilonisë, sepse ti nuk duhej të ishe ulur dhe të kishe qarë mbi lumenjtë e Babilonisë.
"Por ekzistojnë edhe qytetarë të Jeruzalemit të shenjtë, të cilët e kanë kuptuar të qenurit e tyre të burgosur, gjë e cila shenjon dëshirat njerëzore dhe epshet e ndryshme të njeriut. Ato nxitimthi vërtiten sa andej këndej duke u drejtuar drejt detit. Ata e shohin këtë dhe nuk e hedhin veten në lumenjtë e Babilonisë, por ulen mbi lumenjtë e Babilonisë dhe mbi to qajnë, qoftë për ata të cilët knaë rënë brenda në ato ujëra, si dhe për veten e tyre që dëshirat tekanjoze i kanë dërguar në Babiloni".
Këtu jemi përballë atij pesimizmi të thellë që qëndron pas asaj që ëshë quajtur "realizmi politik" i Agustinit. Ky vështrim përbën një prej rrymave të mendimit të krishterë në lidhje me shtetin. Ai është një mendim dhe ndjesi e kthjellët e limiteve, që kërkon një përgjegjësi politike të qetë dhe jo tepër të zjarrtë dhe që sulmon shpresat fanatike. Ky është një realizëm që njeh fare mirë se si miliona njerëz janë vrarë në emër të drejtësisë dhe nderit dhe e di fare mirë se ata që i kanë vrarë kanë menduar se kanë qenë në të drejtën. اfarë kuptojmë ne kur meditojmë mbi shtetet komb dhe kërkimin për një rend botërorë? Për Agustinin ne mësojmë të disiplinojmë pritshmëritë tona morale dhe të veprojmë vetëm brenda kësaj disipline. Ne mësojmë se instrumenti i vetëm dhe më i mirë i paqes është një balancë e sikletshme pushteti dhe se të gjitha këto balanca janë të paqëndrueshme dhe përfundimisht të shkatërrueshme. Ne mësojmë, "se në këtë botë nuk ka paqe të qëndrueshme" dhe se nuk do të ketë ndonjëherë.