Nga: AURORA KOROMANI
TIRANE- "Gjakun nuk ia lëmë pa marrë”. Babai i 22- vjeçarit Erjon Lilaj, që humbi jetën dy ditë më parë nga goditjet me thikë, kërkon nga drejtësia shqiptare që të reagojë për rastin e djalit të tij. Ismail Lilaj rrëfen për “Gazetën Shqiptare” se nëse shteti nuk reagon siç duhet për vrasjen e djalit të tij, atëherë atij dhe djemve të tjerë do u duhet që të marrin hak tek vrasësi për vdekjen e Erjonit. Për Ismailin nuk është aspak e lehtë që të thotë këto fjalë, duke menduar se nuk kanë kaluar shumë orë nga vdekja e djalit të tij. Me lot në sy, babai i katër fëmijëve, rrëfen për “GSH” momentin e dhimbshëm kur i thanë për djalin e tij, të cilin, jo vetëm që e kishin goditur me thikë, por edhe me levë mbrapa kokës. “Jemi të shkrumbuar fare. Më mirë të më kishte rënë një bombë, sesa më ndodhi kjo gjëmë me djalin”. Familjarët e Erjonit, kërko-jnë vetëm drejtësi nga shteti shqiptar, duke pritur edhe arrestimin e autorit të ngjarjes. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga 52-vjeçarin Sherif Lata dhe djalin e tij, 27-vjeçarin Besard Lata. Burime nga policia bëjnë me dije se po punojnë për arrestimin e autorit të tretë të kësaj ngjarjeje, 23-vjeçarit Sebastian Lata. 22-vjeçari Erjon Lilaj humbi jetën dy ditë më parë në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra nga goditjet me thikë.
A mund të na thoni se si ka ndodhur ngjarja dhe si e morët vesh?
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të ditës së enjte. E mora vesh, sepse djalin ma vranë para shtëpisë. Djali ishte konfliktuar me babain e dy djemve të rinj, dhe më pas ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë dy djemtë e tij, të cilët, të tre kanë gjetur djalin tim dhe e kanë qëlluar me thikë, ndërsa e kanë goditur edhe me levë mbrapa kokës.
Pse janë konfliktuar?
Gjithçka ka nisur për një gërvishtje makinash. Nuk arrij ende ta kuptoj se si ka mundësi që në këtë vit që jetojmë, në këtë shekull të ri, në 100-vjetorin e Pavarësisë, një burrë i moshuar, bashkë me djemtë e tij arrin të vrasë një djalë të ri me thikë, për një gërvishtje makine. Ne mendojmë se ata e kanë planifikuar vrasjen e djalit tim, përderisa kanë marrë të tre thikat dhe kanë shkuar të vrasin djalin tim.
A i njihni autorët?
Jo, ne nuk i njohim. Nuk e di nëse janë banorë të kësaj lagjeje apo banojnë diku tjetër.
Cili është apeli juaj për shtetin?
Drejtësia shqiptare duhet që të gjejë edhe autorin e tretë të vrasjes së djalit tim, i cili është arratisur. Shteti të reagojë dhe të dënojë vrasësit e djalit tim. Ne jemi të shkrumbuar fare. Më mirë të na kishte rënë një bombë, sesa më ndodhi kjo gjëmë me djalin. Ne do shohim se si do reagojë shteti dhe nëse drejtësia vonon, ne do marrim hak, do respektojmë Kanunin. Gjakun nuk ia lëmë pa marrë. Do e varim në litar atë që më vrau djalin./BalkanWeb