Titulli: Shkodër, bie në pritë i forti i Bardhajve
Vritet në atentat Gjon Gjeka, 49-vjeçari, i konsideruar si njeriu i paprekshëm i qytetit verior.
Policia heton ngjashmërinë e ekzekutimeve të bujshme të Mir Koçisë dhe të Kujtim Vajushit për të shkuar tek autorët dhe motivet
Një vrasje tipike mafioze është regjistruar sërish në qytetin e Shkodrës. Viktimë është një emër i njohur nga bota e krimit, po aq i njohur edhe për strukturat e policisë së qytetit verior, ndonëse vetëm ditën e djeshme pas ekzekutimit, policia pranoi precedentët e tij të shumtë penalë. Gjon Gjeka, 49 vjeç është ekzekutuar nga dy persona që udhëtonin me motor. Vrasja ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Thive”, në hyrje të Shkodrës, ndërsa policia në vendin e ngjarjes ka mundur të gjejë vetëm viktimën dhe gëzhojat e plumbave. Autorët, që dyshohet se kanë qenë dy persona, kanë ikur me një motor Piagio, ndërsa policia nuk ka nxituar të kërkojë autorët. Për vetë emrin e viktimës, ekspertët e kësaj policie janë kthyer tek arkiva e vrasjeve, grabitjeve dhe ngjarjeve të pazbardhura në qytetin verior për të shkuar të paktën tek motivet e ekzekutimit.
Kush ishte viktima
Gjon Gjeka prej rreth dy dekadave njihej në zonën e Shkodrës si ‘zoti” i Bardhajve. Fshati i njohur për emrat e të “fortëve” dhe pamundësisë së policisë për të ndërhyrë për arrestimin e tyre, që prej 97-ës ishte nën pushtetin e këtij personi, që pasditen e djeshme u ekzekutua me 3 plumba pistolete. Gjeka, sipas policisë në kohën e trazirave kishte kryer me dhjetëra grabitje me armë, ndërkohë që sot e asaj dite, paçka se përflitej edhe për shumë ngjarje të tjera, vijonte të ishte i lirë. Policia që ka nisur të punojë për zbardhjen e motiveve, deri orëve të vona të mbrëmjes ka mundur të sigurojë vetëm dëshminë e personave të lokalit në të cilin viktima ka pirë kafen e fundit. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur deri në momentin që e kanë parë të vetëm të afrohet te makina. Pas ekzekutimit të tij, autorët, sipas dëshmitarëve kanë vazhduar rrugën me motor dhe në hyrje të Shkodrës ata janë marrë nga një makinë. Vrasja e Gjekës duket se do i bashkëngjitet edhe ekzekutimeve të tjera të bujshme në këtë qytet, ku duket se “të fortët” kanë nisur të bien një nga një. Gjon Gjeka dyshohet për rivalitet të fortë me emra të tjerë të njohur në Shkodër, të cilët janë vrarë viteve të fundit.
Hetimet, policia kthehet në të shkuarën e viktimës
Si përherë kur ekzekutohen emra personash të botës së krimit policia kthehet në të shkuarën e tyre për të zbuluar motivet dhe autorët. Për të zbuluar vrasjen e Gjon Gjekës, policia është kapur pas dy ekzekutimeve të fundit të bujshme që kanë ndodhur në Shkodër, ku viktima ishin Mir Koçia dhe Kujtim Vajushi. Mekanizmi i vrasjes është thuajse identik, ndërkohë që emrat kanë jo vetëm ngjashmëri në fushën kriminale, por edhe kanë vepruar bashkë në një periudhë kohe të caktuar, deri sa janë ndarë. Ekspertët e krimeve të rënda kanë marrë në dorë dosjet e vjetra dhe sërish dyshimet bien mbi ekzekutorë me pagesë, ashtu si edhe në dy rastet e para të fundit të nëntorit dhe të 21 janarit të këtij viti. Policia është kthyer në familjen e viktimës për të mësuar ndonjë konflikt të kohëve të fundit, ndërsa janë marrë edhe tabulatet e celularit të Gjekës. Gjithashtu policia ka marrë në analizë grabitjet e bujshme në Shkodër që dyshohet se kanë patur autorë njerëzit e Gjekës, paçka se koha e largët duket se e përjashton pistën e hakmarrjes për këto akte. Sipas të dhënave të policisë së qytetit verior mësohet se po punohet intensivisht për zbulimin e autorëve dhe të motiveve./Shekulli