Prishtinë, 14 nëntor
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë sot është sjellë Fërki Ibrahimi, i dyshuar për vrasjen e dr. Igballe Llalloshit. Ish-bashkëshorti Ibrahimi, para hetuesve policorë, e ka pranuar kryerjen e veprës, duke thënë se e tëra kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që kishin pasur në mes vete tani e ndjera me të dyshuarin. Më pas kishte thënë se në banesën e Igballës kishte shkuar në intervalin kohor nga 00:00-01:00, të datës 9 nëntor, për të biseduar rreth disa çështjeve private. Sipas të dhënave zyrtare nga ana e policisë, të cilat janë të përshkruara edhe në kallëzim penal është thënë se, për shkak të dyshimeve se ish- bashkëshortja po e tradhtonte të dyshuarin, kishte ardhur deri tek zënka. I njëjti sot është dëgjuar edhe nga gjyqtari i procedurës paraprake, Shemsi Hajdini, me ç’rast Ibrahimi e ka pranuar veprën, por, siç ka deklaruar, jo që ka ndodhur me paramendim, siç është cilësuar nga organet e hetuesisë, por çdo gjë kishte ndodhur në afekt. “Unë kam hyrë në banesën e Igballës, si zakonisht. ثshtë e vërtetë që ne kemi qenë të ndarë me dokumentacion, por së bashku kemi qenë sërish. Bile edhe në Turqi tash vonë kemi qenë bashkë. I kam biletat me të cilat e dëshmoj këtë që them. Kemi shëtitur bashkë gjithmonë. Kam besuar nga Igballja se ajo vërtet nuk po më kthehet për shkak të pengesave që ka nga familja, por në fund doli ndryshe, ngase ajo e kishte tjetrin. Jam bërë shumë herë që s’po shoh, sepse e kam dashur tepër dhe më ka dashur tepër. Por, ajo është ftohur nga unë pasi që e kishte një tjetër. Nuk e kam paramenduar jetën pa të e as ajo s’ka mundur pa mua, ngase ne kemi qenë bashkë që nga fëmijëria. Nuk është e vërtetë se ka ndodhur për shkak të shamisë, se unë kam qenë i vetëdijshëm ku punon dhe çka punon dhe një gjë të tillë s’kisha me kërkuar prej saj. Në ditën kritike ajo e ka pranuar se është me tjetrin dhe se e dashuron atë, andaj në ato çaste kam humbur, e kam kap për fyti dhe e kam shtyrë, e më pas kam dal jashtë. Nuk e kam menduar se do të vdiste nga një e shtyrë imja. Por, ja që paska qenë taksirat të më mbetet në dorë”, kështu është bërë e ditur nga ana e organeve të drejtësisë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në orët e pasdites së datës 14 nëntor, para gjyqtarit Shemsi Hajdinit dhe prokurorit Gëzim Llollonit, me ç’rast edhe i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit Ibrahimi. Ndryshe, ngjarja, siç është konfirmuar nga policia, thuhet se ka ndodhur më 10 nëntor 2008, rreth orës 09:20, me ç’rast policia ka marrë informatën për gjetjen e viktimës pa shenja jete në banesën e saj, në lagjen “FV” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se bëhet fjalë për viktimën I. Llalloshin, femër 39 vjeç. Kanë qenë hetimet intensive që çuan në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit Fërki Ibrahimi.